Tërmeti i fuqishëm godet Iranin, humbin jetën 6 persona e 300 tjerë lëndohen

Një tërmet i fuqishëm prej 5.9 magnitudë ka goditur mbrëmë pjesën veriperëndimore të Iranit, duke bërë që gjashtë persona të humbin jetën dhe të lëndohen më shumë se 300 tjerë, raportojnë mediat iraniane.

Tërmeti është përcjell nga më shumë se 60 dridhje të fuqishme, duke krijuar një situatë kaotike në mesin e qytetarëve të shumtë, që vraponin në të gjitha anët për t’i shpëtuar më të keqes, transmeton Telegrafi.

“Ekipet e shpëtimit dhe helikopterë të shumtë kanë dalë në terren, derisa spitalet janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar të lënduarit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga qeveria iraniane.

Shefi i ekipeve emergjente ka njoftuar se gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 345 tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Në anën tjetër instituti amerikan i gjeologjisë, ka pranuar se dridhjet kanë ndodhur në ora 2:17 të mëngjesit rreth 83 kilometra në jugperëndim të Ardabilit. Dridhjet janë ndjerë në shumicën e qyteteve të Iranit.

Video të shumta amatore të publikuara në internet dhe televizionet lokale shfaqin dëmet materiale, ndërtesa të shumta të shkatërruara plotësisht, objekte afariste dhe shkolla. Madje disa kanë kapur momentin e dridhjes së parë, ku brenda ambientit të një shtëpie private lëvizte gjithçka.