Tërmkolli: LDK e VV si nata me ditën

Një koalicion shumë të vështirë e ka quajtur marrëveshjen potenciale për bashkëqeverisje mes LDK-së e VV-së, anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, në një intervistë dhënë në Interaktiv të KTV-së.

Sipas saj, dy partitë dallojnë sikur nata me ditën në bazament të politikës.

Megjithatë, ajo nuk ka mohuar se një koalicion i tillë mund të ndodhë.

“Mendoj që do të jetë shumë problem. Në bazament të politikës jemi si nata me ditën, por ndoshta do të gjenden elemente që munden me u ndërlidhë”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë se është kundër çdo koalicioni me PDK-në, AAK-në e Nismën, duke thënë se “komandantët e kanë okupuar vendin për aq sa kanë qeverisur”.

Sipas saj, në zgjedhje LDK-ja duhet të hyjë e vetme, por me “koncept krejtësisht të ri të zhvillimit të shtetit, me një besëlidhje të re me qytetarët e Kosovës”.

Për kushtin që Vetëvendosje të ketë kandidatin për kryeministër në një koalicion të mundshëm parazgjedhor me LDK-në, Tërmkolli ka thënë që “LDK-ja s’duhet të bije më në pozitën që të kushtëzohet nga dikush”.