Tërmokolli: Liria ka emër kuptimi. Kuptimi i lirisë është vlera e saj për të gjithë

Anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka shkruar për versionin e saj për lirinë, e cila është përë pjesë e një fushate në ndihmë të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë.

Tërmkolli, në shkrimin e saj me titull “Liria si emër kuptimi!”, i ka dhënë disa epitete lirisë, ndër të cilët ka thënë se “Liria është Drejtësi! Është respektim i ligjit e rendit”, / Express.

Shkrimi i plotë i Tërmkollit:

Liria si emër kuptimi!

Liria është vlerë. E të gjithëve.
Liria ka emër kuptimi. Kuptimi i lirisë është vlera e saj për të gjithë.
Liria është e Vërteta! Mashtrimi e gënjeshtra nuk e bëjnë dot lirinë. Lirinë e Paqen nuk ditëm a nuk dashtëm ta ndërtojmë.
Liria është Jetë! Nuk e ka kuptimin e saj, liria, në vendin në të cilin shumica e njerëzve luftojnë për ekzistencë, për jetesë e mbijetesë. Liria është zhvillim e begati.
Liria është Dije! Dhe krijim i mundësive për të vënë në funksion dijen dhe aftësitë e individit për zhvillim e përparim. Liria nuk ka kuptimin e saj aty ku dija “mashtrohet” me letra boshe.
Liria është Dinjitet! Dinjitet individual njerëzor, dinjitet kombëtar, dinjitet shtetëror. Në vendin ku dinjiteti matet me masën e grabitjes së shtetit e popullit, liria nuk e ka kuptimin e saj. Dinjiteti nuk është post politik a shtetëror, as pasurim i paligjshëm, as fuqia që të japin këto të dyja. Është zotërim dhe respektim i vlerave njerëzore individuale e kombëtare. Është autoritet jo autoritar.
Liria është Dashuri! Në vendin ku dashuria në masë të madhe është shfaqje e shpërfytyruar kozmetike, liria nuk e ka kuptimin e saj. Liria nuk është mundësi për fyerje, denigrim, poshtërim, akuza e ofendime me njëri tjetrin, deri në copëtim.
Liria është Mendje e Shpirt i lirë! Liria nuk ka kuptimin e saj në vendin ku sundimtari/ët rrënojnë e rrëmojnë shpirtin e tjerëve, e kontrollojnë jetën e tjerëve me tendencën për të kontrolluar edhe mendjen e tyre.
Liria është Besim! Nuk e ka kuptimin e saj liria, në vendin nga i cili ikin qytetarët e vet, të kamur e të pakamur. Në vendin të cilin qytetarët nuk e ndiejnë vend të vetin, liria nuk e ka kuptimin e saj.
Liria është Drejtësi! Është respektim i ligjit e rendit. Në vendin ku individi- i forti është mbi ligjin e mbi shtetin, liria nuk e ka kuptimin e saj.
Liria është personale e kombëtare por personalizimi ose “privatizimi” i saj, është uzurpim i lirisë.
Emri i vërtetë i lirisë është Liria e vërtetë.
Kuptimin ia japim ne, me punë, me vepra!