Tërnava uron besimtarët për muajin e Ramazanit

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava ka uruar besimtarët me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.

Ai ka pohuar se muaji i Ramazanit, është muaji i mëshirës, i faljeve, i lutjeve, reflektimit, pendimit e shpëtimit; muaji kur besimtarët shtojnë lutjet e ibadetet, rrisin ndjesinë e përkushtimit ndaj Krijuesit, ndaj shoqërisë e ndaj familjes. Po ashtu rrisin ndjesinë e solidaritetit, ndihmës e bamirësisë. Muaj në të cilin edhe lutjet drejtuar Zotit pranohen më shumë, muajin e mirësive të panumërta.

“Agjërimi për besimtarët është një adhurim që bartë në vete përkushtimin, vendosmërinë, bindjen, urtësinë, devotshmërinë, sinqeritetin, dashurinë, sakrificën, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin, vlera këto që e ekuilibrojnë njeriun, e fisnikërojnë shoqërinë, si dhe të ndikojnë në reflektimin për hyjnoren, njerëzoren e humanen.

Besimtari përmes agjërimit më së miri shpreh përkushtimin e tij, bindjen e tij, sinqeritetin e tij ndaj Krijuesit të Madhërishëm, të Cilit i përkushtohet me devocion e dëshirë të plotë, ngase agjërimi bëhet vetëm për Të, të bindur që Krijuesi do ta shpërblej në botën tjetër”, tha ai.

Ai ka shtuar se Ramazani është muaj më vlerë e rëndësi të veçantë për besimtarët myslimanë sepse në këtë muaj Allahu xh.sh., filloi zbritjen e Kuranit te Muhamedi a.s., libër udhëzues të cilit kemi nevojë në vazhdimësi t’i referohemi për çdo nevojë, ngase kështu e përshkruan Kurani:

“Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata padyshim do të kenë shpërblim të madh”. (El-Isra, 9).

“Andaj nga ne kërkohet që gjatë këtij muaji t’i shtojmë adhurimet tona, t’i shtojmë veprat e mira, të jemi më solidar e human, më social, më tolerant e mirëkuptues se gjatë muajve të tjerë, ngase edhe vet i Dërguari i Zotit Muhamedi a.s., gjatë Ramazanit shtonte ndjeshëm adhurimet e përkushtimet, ndihmën e solidaritetin me të tjerët”, deklaroi Tërnava.

Po ashtu theksoi se “Muaji i Ramazanit për ne përveç tjerash sjell edhe dy momente të veçanta syfyrin dhe iftarin, të cilat në kohën që po jetojmë marrin vlerë e rëndësi edhe më të madhe sepse na ofrojnë e bashkojnë edhe më shumë atëherë kur jemi të ulur pranë sofrës me të dashurit tanë”.

“Ramazani është muaji i mëshirës, rahmetit e solidaritetit, ndaj edhe gjatë këtij muaji ju ftoj që të lutemi që ky muaj i madh, posaçërisht me ibadetin e agjërimit, të jetë një reflektim për ndaljen e konflikteve, trazirave e gjakderdhjeve në vatrat e krizës, e njerëzimi të jetoj në paqe e lumturi.
Po ashtu, në prag të muajit të madhëruar të Ramazanit ftoj të gjithë faktorët tanë institucional që të ruajnë unitetin veprues në dobi të atdheut e qytetarëve tanë. Ftoj që të bëhet më shumë që shteti ynë të jetë vend ku mund të jetohet e punohet me dinjitet. E kemi për obligim që brezit të ri t’i sigurojmë perspektivë në vendin tonë e jo t’i bëjmë ata që të ikin nga vendi ynë në mungesë të perspektivës”, tha Tërnava.