Thaçi deklarohet para hyrjes në Gjykatën Speciale

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tashmë ka arritur në objektin e Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Me të arritur në këtë vend, Thaçi është deklaruar para mediave në gjuhën angleze, ku tha se kjo ftesë është tentim për njollosjen e luftës së UÇK-së dhe është një lloj propagande politike në momentet më kyçe, ku gjendet shteti i Kosovës në këtë fazë të dialogut me Serbinë, raporton Indeksonline.

Thaçi tha se do t’i përgjigjet kësaj ftese ashtu siç ka pranuar edhe më herët për të dëshmuar pafajësinë e tij dhe liderëve të tjerë të UÇK-së.

Thaçi edhe më herët pati deklaruar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe se kjo gjë do të dëshmohet edhe në këtë ftesë të bërë nga Specialja.

Për të përkrahur Thaçin dhe luftën e UÇK-së para objektit të Speciales në Hagë sot janë mbledhur shumë shqiptarë, të cilët kanë brohoritur e kanë kënduar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e ku ndër të tjerash kanë deklaruar se vazhdojnë të besojnë në pafajësinë e Thaçit si dhe në luftën e denjë të UÇK-së./Indeks/