Thaçi: Dialogu me Serbinë të vazhdojë i pakushtëzuar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi udhëtoi sot drejt Sllovakisë, për të marrë pjesë në “Bratislava Forum” të organizuar nga GlobSec, për t’u bërë pjesë e panelit ku do të diskutohet për të ardhmen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi në një konferencë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, tha se në panel është paralajmëruar se do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin tha se nuk do të ketë takim të veçantë.

“Do të theksojmë qartë që dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë i pakushtëzuar me qëllim që të përmbyllet ky proces historik jo i lehtë, shumë i rëndë”, tha Thaçi.

Thaçi tha se në këtë forum do të ritheksojë edhe “domosdoshmërinë që të ndodhë liberalizimi i vizave sa më shpejt që të jetë e mundur, meqë Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret”. Ai shtoi se duhet të marrë fund diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve të Kosovës.

Në margjina të konferencës, presidenti Thaçi pritet të takojë edhe diplomatë tjerë, pjesëmarrës në konferencë.

Presidenti i Kosovës tha se në këtë forum do të marrin pjesë panelistë nga vendet e rajonit, por siç tha ai, forumi do të jetë një mundësi tjetër e mirë që të takohet edhe me përfaqësues të SHBA-ve, që do të jenë pjesëmarrës. /Anadolu Agency/