Thaçi do t’i kërkojë Macronit liberalizimin e menjëhershëm për kosovarët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillojë takim të veçantë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, para darkës së paraparë të mbahet në kuadër të nisjes së Forumit të Paqes.

Në këtë takim do të diskutohet për perspektivën europiane të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Siç bëjnë të ditur nga Zyra e Presidencës së Kosovës, në takimin mes Thaçit e Macron, do të bisedohet ”me theks të veçantë nevoja për një vendim të menjëhershëm dhe meritor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Veç kësaj Presidenti Thaçi nesër do të flasë në një panel të veçantë për sukseset dhe sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Kosovë.

Forumi i Paqes i Parisit është mbajtur për herë të parë vitin e kaluar, në 100 vjetorin e armëpushimit që solli fundin e Luftës së Parë Botërore.

Në darkën e shtruar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet të marrë pjesë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.