Thaçi e Veseli marrin mbështetje nga qytetarët pas aktakuzës nga Gjykata Speciale

Qytetarët po vlerësojnë se propozim aktakuza nga Prokurori i Specializuar ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, e cila u publikua ditë më parë, nuk është asgjë tjetër përveç një tentim i radhës për njollosje të luftës së UÇK-së.

Ata madje thonë, se ky akt i Gjykatës Speciale i cili erdhi tri ditë para takimit në Uashington është një hendikep për shtetin tonë.

Qytetari, Gëzim Berisha, thotë për KosovaPress se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dinë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe se këto akuza janë të pabaza, derisa theksoi se Kosova duhet t’i mbrojë luftëtarët e sajë.

“Këto akuza janë të pa drejta për Shtetin e Kosovës dhe në këtë rast ne si Shtet duhet të punojmë që jo vetëm për Presidentin dhe kryetarin e PDK-së, por për çdo luftëtar të UÇK-së duhet të tregohet që këto akuza janë të pa baza, sepse UÇK-ja ka luftuar për me çlirua vendin nga okupatori. Në rast se quhet Presidenti dhe këta që janë kriminel atëherë neve na ka ndihmuar edhe aleanca veri atlantike me SHBA-të dhe ata e dinë fort mirë që kemi luftuar drejtë. Besojë që kanë me dalë faqe bardhë në këto akuza që ju kanë ngritur padrejtësisht”, thotë ai.

Qytetari tjetër, Mustaf Dodaj, konsideron se kërkesa për aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit, është plotësisht e pabazë.

Ai madje thotë, se pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë bërë krime, por kanë treguar pjekuri dhe aftësi në çlirimin e vendit.

“Kjo është një hendikep për Kosovën, është një tentim njollosje për UÇK-në me këto akuza, gjë që UÇK ka bërë luftë të drejtë dhe Çlirimtare, prandaj edhe këto akuza nuk i shoh të arsyeshme dhe në kohën më të pa favorshme që ka bërë gjykata speciale një akt të tillë, për ne është një hendikep i madh…Shpresojmë që do të dalim faqe bardhë sepse populli dhe luftëtarët kanë treguar një pjekur dhe aftësi me çliru këtë vend dhe në momentin që është bë kjo akuzë është shumë e pa arsyeshme ”, thotë ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe qytetari Valon Selimi, sipas të cilit luftëtarët e UÇK-së, janë më meritorët për lirinë e Kosovës.

“Luftës i besojmë të gjithë, janë njerëz që kanë luftuar i kanë meritat e veta, ishalla bëhet mirë për këtë popull. Respekt për UÇK-në dhe lavdi për ata të vdekurit”, thotë ai.

Ndërsa, Gani Dushi, thotë se Evropa gjithmonë ka pasur tendencë për ta ulur popullin shqiptar, derisa shtoi se UÇK-ja, nuk është për t’u fajësuar.

“Amerika është aleat i joni, por Evropa që e ka bërë këtë, le t’i vjen turp, se gjithmonë ia ka bërë kështu popullit Shqiptar, prap na e bëri…UCK-ja nuk është ajo që me i fajësu, dhe në këtë moment pikërisht kur është çështja e Kosovës me shku në Amerikë, me u pru vendimi”, deklaroi ai.

Dy drejtuesve të UÇK-së, presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli të mërkurën iu bë publike propozim aktakuza për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. /Reporteri.net/