Thaçi ftesë Mustafës: Bashkimin kombëtar le ta bëjmë realitet bashkë 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është përgjigjur përmes facebook-ut kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Me këtë rast ka theksuar se korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi i tij i pandalshëm.

Gjithashtu ka ftuar Mustafën, që të jetë në krah me të në këto përpjekje. “Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë!”, shprehet Thaçi në përgjigjen e tij. 

Postimi i plotë i Hashim Thaçit në FB:

“Kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, nëpërmjet një postimi më paska dhënë disa këshilla. Duke e falënderuar atë për këtë përpjekje, ritheksoj se asnjë e keqe nuk i vjen vendit nga debati dhe paraqitja e pikëpamjeve të ndryshme për realizimin e qëllimit të përbashkët. Korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi im i pandalshëm. Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për ne. Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur. Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura. Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua. Të tjerët që hezitojnë sot duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, por mos të vonohen shumë. Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë!”

Ndërsa më poshtë mund të lexoni edhe postimin e kreut të LDK-së, Isa Mustafa në FB:

Miq të nderuar,

Sulmet ndërmjet Presidentit Thaçi dhe ish Presidentit të Shqipërisë, Berisha, nuk nxjerrin një të vërtetë. Si të tilla i konsideroj të dëmshme dhe të panevojshme.

Duhet të mendohesh mirë e ti thuash ish Presidentit të Shqipërisë dhe ish Kryeministrit, Sali Berisha se ishte bashkëpunëtor i Serbisë dhe i Millosheviçit. Askush nuk të beson dhe në këtë askush merr pjesë edhe

vet Presidenti Thaçi. Nuk është me rëndësi të gjurmojmë se kur dhe çfarë kanë thënë njëri për tjetrin, dhe si e kanë ngritur shoqishoqin në piedestal, por edhe ne të tjerërt e njohim edhe Sali Berishën edhe Hashim Thaçin.

z. Sali Berisha, si President dhe Kryeministër i Shqipërisë ka bërë të mundurën e të pamundurën për ta ndihmuar dhe përkrahur Kosovën. Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, sa isha ministër i Qeverisë Bukoshi, në ekzil, për Kosovën ka qenë e hapur çdo derë e Qeverisë dhe Presidencës shqiptare me Sali Berishën; ka qenë në dispozicion tonin e tërë diploacia shqiptare, ministër, ambasadë e ambasador. Kjo ka vazhduar edhe pas luftës. Prandaj Sali Berisha ka qenë, është dhe mbetet një monument i pavarësisë së Kosovës.

Do të fitoja, ndoshta, ndonjë aplauzë nga një numër i njerëzve në Kosovë nëse Presidentin Thaçi e cilësoj si bashkëpunëtor të Vuçiqit dhe si njeri që po e shet Kosovën. Unë nuk e kam njohur si të tillë, prandaj nuk mund ti them, veç se e do pazari. Nuk jemi në Pazar të plaçkave, por në një moment shumë delikat që po kalon vendi ynë. Kështu që cilësimet nuk janë çështje personale, por ato u adresohen institucioneve që përfaqësojnë individët.

Presidentit Thaçi ia kam thënë edhe personalisht dhe e ka thënë gati tërë Kosova, publikisht, se diskursi i tij politik për korrigjim të kufijve është i shumë i gabueshëm dhe i papranueshëm. Ai duhet të korrigjohet. Nëse jo do ta ketë veten në qafë, jo të tjerët.

Prandaj kot shahemi e ofendohemi, sepse një zgjidhje e tillë nuk kalon, ajo është e papranueshme. Dhe kjo duhet të na mjaftojë.

Kosova dhe Shqipëria duhet të respektohen në mënyrë të ndërsjell. Sa u përket punëve tona, ne i dimë ato më mirë sesa Shqipëria; dhe Shqipëria i di punët e veta më mirë sesa Kosova. Por ne kemi nevojë të ndihmojmë njëri tjetrin dhe të bashkëpunojmë mbi baza të barabarta dhe të respektit reciprok.

Jemi mjaftë të pjekur për të evituar cilësimet degraduese deri edhe me emra kafshësh”.