Thaçi me apel të rëndësishëm për LVV-në e LDK-në

Zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka publikuar një apel drejtuar Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

Apeli i Thaçit ka të bëjë me ruajtjen e ruajtjen e funksionalitetit të Ministrisë së Arsimit.

Thaçi i ka bërë apel Kurtit që të mos e shkarkojë Ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami, e cila vjen nga rradhët e LDK-së.

Ai po ashtu i ka bërë apel Mustafës që të mos e tërheqë Hykmete Bajramin nga pozita e Ministres së Arsimit, nëse eventualisht planifikon tërheqjen e ministrave të LDK nga Qeveria.

Lajme365, mbështetur në burimet e saj, kishte raportuar se LDK ka marrë vendim për largim të plotë nga Qeveria tashmë e shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës.

LDK i jep përgjigjet shpejtë Albin Kurtit

Thaçi ka shtuar se largimi eventual i Ministres Bajrami, do të bënte që të gjitha emergjencat me pasoja afat-gjata në këtë ministri do të mbeten të pa-adresuara e dëmet si pasojë e kësaj do të jenë të parikuperueshme.

 

Ky është postimi i plotë i Jusuf Thaçit:

Apel publik për Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin e LDK-së Mustafa:

Duke mos e ditur se çfarë mund të ndodhë orët e ditët në vijim, ju lutem deri në përgjërim që derisa të gjendet zgjidhja e radhës për qeverinë (cilado qoftë ajo zgjidhje), së paku deri atëherë mos gaboni ta de-funksionalizoni Ministrinë e Arsimit, sepse pasojat janë të stër-mëdha!

Apel Kryetarit të LDK-së që assesi mos ta tërheqë ministren Bajrami! (me këtë nuk po paragjykoj që Kryetari i LDK-së e ka në plan tërheqjen e ministrave të LDK-së).

Apel Kryeministri Kurti që assesi mos ta shkarkojë ministren Bajrami! (me këtë nuk po paragjykoj që Kryeministri Kurti e ka në plan shkarkimin e ministrave të LDK-së).

Nëse kabineti në këtë minsitri defunksionalizohet ose çrregullohet, ta dini që të gjitha emergjencat me pasoja afat-gjata në këtë ministri do të mbeten të pa-adresuara e dëmet si pasojë e kësaj do të jenë të parikuperueshme, rrjedhimisht shumë të dëmshme dhe afat-gjata për arsimin në Kosovë. Gjithashtu, projekti i mësimit në distancë, ekstremisht i rëndësishëm për këto rrethana, mund të dështojë tërësisht.

Aman, së paku këtë nerv të vogël që e siguron mbijetesën e arsimit në këto rrethana të jashtëzakonshme mos e cenoni derisa të sigurohet zgjidhja tjetër!

Më respekt,

Jusuf Thaçi

Zëvendësministër në MASHTI

26 mars 2020