Thaçi me formulë kundër zgjedhjeve

Presidenti Hashim Thaçi nuk i ka takuar ende drejtuesit e partive kryesore parlamentare në vend pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai dje ka takuar “të vegjlit” e politikës, me ç’rast ka përmendur edhe mundësinë e krijimit të një strukture të re qeverisëse, ndonëse kërkesat e partive janë që të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, shkruan gazeta “Zëri”.

Të enjten e javës së kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri të ditur se gjatë kësaj jave do t’i ftojë përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar rreth tejkalimit të situatës së krijuar pas dorëheqjes së liderit të AAK-së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Mirëpo ftesa e kreut të shtetit deri më tash ka mbërritur vetëm te dy subjektet e komuniteteve joshumicë, Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe subjektit “Vakat” nga Grupi Parlamentar 6+.

Pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e këtyre subjekteve Thaçi ka thënë se duhet të krijohet një zgjidhje e re qeverisëse ose të ketë një proces të ri elektoral, në mënyrë që Kosova të bëhet sa më shpejt me qeveri.

Megjithëkëtë i pari i shtetit ende nuk ka dërguar ftesë në drejtim të opozitës dhe të partive kryesore të koalicionit qeverisës.

Përfaqësues të opozitës thonë se do të shkojnë në takim vetëm në rast se aty do të flitet për zgjedhje të parakohshme.

/Zëri, link: https://zeri.info/aktuale/277841/thaci-me-formule-kunder-zgjedhjeve//