Thaçi: Ndërkombëtarët e njoftuan Serbinë për aksionin e Policisë në veri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zbuluar detaje të aksionit të Policisë së Kosovës që u zhvillua këtë javë në veri të Kosovës dhe pjesë të tjera të vendit.

Sipas Thaçit, Beogradi zyrtar ka qenë i informuar për aksionin nga bashkësia ndërkombëtare.

“Institucionet e Kosovës bashkëpunojnë me instancat ndërkombëtare. Instancat ndërkombëtare për të mos ua prishur qejfin palës serbe i informojnë autoritetet e sigurisë atje për këto aksione. Kjo është e vërteta”, ka thënë ai në një intervistë për RTV Dukagjini.

Ai ka bërë të ditur se aksioni ka qenë i suksesshëm dhe ka gëzuar mbështetjen e të gjitha institucioneve pa përjashtim, përfshirë atë, kreun e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Thaçi ka shtuar se ky aksion nuk ka qenë i drejtuar kundër serbëve, por ka pasur për qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit që ka rezultuar me arrestimin e serbëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve.

Ditëve të fundit, mediat kanë raportuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kishte pasur informata paraprake për aksionin e Policisë së Kosovës, gjegjësisht ai kishte paralajmëruar pothuajse dy javë më parë se do të kishte arrestime të policëve dhe qytetarëve në komunat veriore të Kosovës.