Thaçi rrëfen bisedën me Zaevin: Më kërkoi falje, u dezinformua nga propaganda ruse

Një bisedë telefonike mes kryeministrit Zoran Zaev dhe dy humoristëve rusë që janë prezantuar si ish presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko dhe  sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zgjuar reagime të mëdha në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme lidhur me deklaratat e Zaevit ka folur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka thënë se mbrëmë ka zhvilluar një bisedë 20 minutëshe telefonike me kryeministrin Zaev, shkruan Reporteri.net.

Thaçi ka deklaruar se Zaev i ka kërkuar personalisht falje atij dhe popullit të Kosovës, për deklaratat për të cilat, siç ka thënë ai nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar por është bazuar në thashetheme dhe propagandën ruse.

“Unë mbrëmë kam biseduar rreth 20 minuta me kryeministrin Zaev, ai më ka thirrur mua si president i Republikës për tu sqaruar me atë për çka ka biseduar. Më ka thënë qartë se ishte rrethanë ku ka rënë pre e mashtrimit, dhe për atë që ka folur për komunat e Kosovës i ka folur duke u bazuar në thashetheme, dezinformata dhe lansimet e gazetës ruse Sputnik. Më ka kërkuar falje mua personalisht dhe Kosovës. Ai ka potencuar se atë që ka folur me mashtruesit janë gjëra të cilat nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe në të njëjtën kohë ka potencuar qartë se nuk ka asnjë informacion zyrtar për atë që ka deklaruar por të gjitha i ka bazuar në dezinformata ruse”, është shprehur presidenti Thaçi.