Thaçi: Tani ka mbetur që Selia e Shenjtë ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.

Presidenti Thaçi me këtë rast ka deklaruar se tani ka mbetur që Selia e Shenjtë ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin, e falënderova për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës. Tani ka mbetur që Selia e Shenjtë të bëjë hapin e radhës – atë të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar Thaçi, në profilin e tij në rrjete sociale.

Thaçi gjithashtu ka deklaruar se populli i Kosovës gjithmonë është udhëhequr nga vlerat e Shën Terezës, të tolerancës, të paqes dhe të bashkëjetesës.

Nga ana tjetër, sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin ka thënë se Selia e Shenjtë është e përkushtuar për paqen, tolerancën dhe stabilitetin në Kosovë.

Takimi është zhvilluar në Nju Jork ku po i mban punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.