Tiranë: Dhunë në protestën e opozitës, 13 persona të lënduar

Protesta e shtatë e opozitës në Shqipëri, e mbajtur të dielën, në orët e mbrëmjes, u shoqërua me incidente dhe të lënduar nga radhët e protestuesve dhe policëve, raportojnë mediat e Shqipërisë.

13 persona janë lënduar nga kjo protesta, 10 prej tyre policë, kurse 3 të tjerë ishin protestues, ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.

“Sapo zhvillova një vizitë tek të plagosurit. Janë 10 policë dhe 3 qytetarë që janë plagosur si rezultat i sulmit kriminal. Është për të ardhur keq, e papranueshme. Përpjekja për të destabiluzuar, për të krijuar dhunë është e pashpresë sepse Policia e Shtetit është e vendosur”, ka deklaruar Lleshaj.

Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, kapsolla dhe gurë në drejtim të objektit të Kryeministrisë, e cila ishte mbuluar nga tymi. Disa prej protestuesve ishin përpjekur të heqin gardhin metalik para policëve. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga këtu akuzoi Qeverinë Rama për korrupsion, lidhje me krimin dhe vjedhje të zgjedhjeve, kurse u zotua se beteja për largimin e kryeministrit Rama nuk do të ndalet me kaq.

Situatë e ngjashme, por me të lënduar ishte hasur edhe gjatë zhvendosjes së protestuesve drejt Kuvendit të Shqipërisë. Aty ishte krijuar një situatë e tensionuar dhe ishin vërejtur numër i madh i forcave të policisë shqiptare që ishin rreshtuar para hyrjes së Kuvendit. Mediat kanë raportuar se policia nuk i kishte dhënë leje opozitës të zhvendos protestën e saj.

Tek Kuvendi, protestuesit kishin hedhur gur, fishekzjarrë dhe mjete piroteknike, ndërsa policia kishte ndërhyrë duke përdorur ujë e gaz lotsjellës për të zmbrapsur turmën e protestuesve në sheshin para Kuvendit.

Në fakt, policia i kishte bërë thirrje vazhdimisht protestuesve për të mos hedhur lëndë piroteknike meqë me këtë rrezikon jetën e policëve. Policia i kishte apeluar kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe sekretarit organizativ, Gazmend Bardhi të ndërmarrin masa për ndërprerjen e veprimeve të dhunshme të protestuesve.

Pas kësaj situate e përcjellë me tensione, protestuesit u nisën drejt selisë së Partisë Demokratike, ku kryetari i kësaj partie, Basha, falënderoi protestuesit dhe deklaroi se sot është dita e fundit ku flet, sic tha ai, me argumentet e arsyes, pasi në protestën e ardhshme fjalën do ta merr “sovrani”.

“Rama dhe banda e tij ta harrojnë, shqiptarët nuk do lejojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë. Po i them sot Edi Ramës dhe sejmenit të tij zuzar dhe sadist Sandër Lleshaj se do mbani përgjegjësi para ligjit. Dita e fundit ku unë iu drejtohem me argumentet e arsyes, koha për fjalët po mbaron, në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani”, deklaroi Basha në përmbyllje të protestës.