Tjetër sulm në SHBA, vrasësi hyn në lokal dhe vret katër persona në Kaliforni

Katër persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në një sulm të cilin e ndërmori një burrë i armatosur me thikë dhe revole në Santa Ana në Kaliforni, dhe pastaj iu dorëzua policisë.

Shefi i policisë lokale në konferencë për gazetarë ka thënë se vrasësi para kësaj kishte plaçkitur një banesë dhe disa lokale afariste.

“I armatosur me thikë dhe revole, ka plaçkitur një banesë, një furrë, një zyre të sigurimeve dhe një pompë të benzinës. Dhuna ka qenë në mënyrë të rastësishme, ndërsa motivi, tash për tash është plaçkitja, urrejtja dhe vrasja”, kanë thënë përfaqësuesit e policisë.

Ata kanë shtuar se dy të lënduarit janë në gjendje stabile.

Pretendohet se vrasësi dy persona të parë i ka vrarë në ndërtesën ku ka jetuar, dhe pastaj e ka plaçkitur furrën dhe zyrën e afërt të sigurimeve. Në pompën e benzinës e ka sulmuar një burrë, dhe kur ka arritur policia e kanë gjetur sulmuesin para një shitoreje të afërt në të cilën e kishte therë rojën dhe më pas u dorëzua.