Tjetër virus godet Kinën, raportohet rasti i parë me H10N3 tek njerëzit

Qeveria e Kinës tha se një person ka kontraktuar gripin e shpendëve, variantin H10N3, porse rreziku i përhapjes në shkallë të gjerë është i ulët.

Ky besohet të jetë rasti i parë i infektimit të një njeriu me H10N3.

Pacienti, 41 vjeç, nga qyteti Zhenjiang, është shtruar në spital më 28 prill dhe është në gjendje stabile, njoftoi të martën Komisioni Kombëtar i Shëndetit.

“Ky infektim është një transmetim aksidental midis specieve”, tha ky komision.

Sipas tij, “rreziku i transmetimit në shkallë të gjerë është jashtëzakonisht i ulët”.

Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara, gripi i shpendëve H7N9 ka infektuar 1,668 njerëz qysh në vitin 2013.

Prej tyre, 616 kanë vdekur.

Epidemia e fundit njerëzore nga gripi i shpendëve H7N9 ka ndodhur në Kinë nga fundi i vitit 2016 deri më 2017.

Tags: , ,