Tjetërsimi i pronave në Gjirin e Lalzit, 18 të arrestuar

Një grup i madh ish drejtuesish të zyrës së Rregjistrimit të pasurive në Durrës, ish punonjësish të po kësaj zyre që kanë mbuluar funksione të ndryshme, apo dhe persona të tjerë të përfshirë në një skemë përfitimi në mënyrë të paligjshme të një sipërfaqe prej të paktën 68 mijë metra katrorë, në zonën e Gjirit të Lalzit, në bregdetin e Durrësit, e cila ka marrë vitet e fundit një zhvillim të madh turistik. Janë 18 persona, mes të cilëve 3 ish drejtues të Zyrës së Rregjistrimit të pasurive në Durrës dhe ish kryetari i Komunës Ishëm, që kanë përfunduar në pranga, 6 të tjerë janë lënë nën masën detyrim paraqitje, ndërsa 3 janë në kërkim.

Ndaj tyre rëndojnë akuza të ndryshme që nga “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojne funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, apo dhe “Grupi i strukturuar kriminal, të kryer në bashkëpunim”.

Policia njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorinë “pas një hetimi proaktiv duke aplikuar metodat speciale të hetimit, si kryerje përgjimesh telefonike, filmime, përgjime ambientale dhe vëzhgime, rezultoi se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë tjetërsuar sipërfaqe toke prej 68 000 m2, nga tokë shtetërore pa frut në tokë are dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit”. Sipas Policisë “këtë aktivitet – i shtrirë në kohë nga viti 2013 deri në vitin 2018 – e kanë realizuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, si të akteve të marrjes së tokës në pronësi, kartelave të pasurive në Regjistrat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. Këtë sipërfaqe toke ua kanë shperndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit.”

Policia deklaroi se “gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova materiale që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal”, duke saktësuar se “për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. / VOA