Tmerr në Gjakovë, vritet burri dhe plagosen gruaja e djali i tij

Një vrasje dyshohet të ketë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës.

Një shtetas i Shqipërisë raportohet të ketë vrarë një burrë, derisa ka plagosur edhe gruan dhe djalin e viktimës.

Këtë e ka konfirmuar për KOHË-n, Lumni Graishta, drejtor i Policisë Rajonale të Gjakovës.

“Rreth orës 03:00 të mëngjesit Policia është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe Prokurorinë e Shtetit dhe njësinë e emergjencës që ka konstatuar vdekjen e viktimës”, shprehet Graishta.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se djali i viktimës gjithashtu është në gjendje të rëndë dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

“Ndërsa dy personat e tjerë të lënduar u është dhënë ndihma e parë në vend të ngjarjes. Djali për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është transferuar për në QKUK. I dyshuari është shtetas i Shqipërisë dhe ka qenë i strehuar në familjen e viktimës dhe motivet e rastit ende janë të panjohura për ne dhe po vazhdon ende ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe intervistimi i personit të dyshuar”, ka thënë Graishta.

Tutje Graishta ka konfirmuar se pas identifikimit të të dyshuarit, të dhënat e tij u janë përcjellë të gjitha njësive policore.

“Rreth orës 07:00 të mëngjesit i njëjti është arrestuar nga stacioni policor i Deçanit. Me urdhër të Prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë, kurse trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar nga sektori rajonal i hetimeve në Gjakovë”, ka thënë Graishta. / Koha

Tags: ,