Tomë Gashi: Nuk ka dëshmi që Rade Basara është i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit

Në Gjykatën e Prishtinës ka mbajtur sot procesin gjyqësor në rastin për vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Pas përfundimit të seancës është deklaruar avokati i njërit nga të dyshuarit Rade Basara.

Avokati Tomë Gashi tha se gjatë kohës kur Ivanoviq iu vra, Basara nuk ishte në Kosovë.

“Unë flas konkretisht për klientin tim Rade Basara. Aktakuza i ka 8 pika të pabazuara e që nuk përputheshin me kohën e vrasjes së Ivanoviqit për shkak se ai në atë kohë ishte në Kroaci. Ai është serb i Kroacisë. Sipas prokurorisë ai si pjesëtarë i njësitit të hetimeve në polici dhe mund të jetë i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit. Ai për 16 muaj është duke qëndruar padrejtësisht në paraburgim”, ka thënë Gashi.

Më tutje mbrojtësi i Basaras tha që nuk ka asnjë dëshmi që ai ishte i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.

“Nëse faji i Rada Basara është që ka qenë pjesë e njësitit të hetimit në Policinë e Kosovës atëherë është diçka tjetër sepse mund të jetë çdo policë në veri të Mitrovicës. Nuk ka asnjë fakt që Basara është i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit”, ka thënë më tutje ai.

Për vrasjen e Oliver Ivanoviqit me 16 janar 2018 po akuzohen Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basaran.

Ivanoviç, kreu i partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, u qëllua për vdekje para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë më 16 janar 2018.

Në kohën e vdekjes së tij, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në 1999. Ai kishte pretenduar pafajësi.

Përveç Kosovës, edhe Prokuroria Speciale e Serbisë po heton vrasjen e Oliver Ivanoviqit./Gazeta Express/