Tragjedi në Indi, 17 studentë vdesin nga shpërthimi i zjarrit

Një zjarr i fuqishëm që ka shpërthyer në një qendër shkollimi në Indi ka rezultuar me humbjen e jetës të 17 studentëve, kanë bërë të ditur zyrtarët e këtij vendi. Si pasojë e tymit të zjarrit që nisi të shpërndahet, studentët ishin parë duke kërcyer nga ndërtesa ku ndodhi zjarri në qytetin perëndimor Surat, ndërsa viktimat ishin adoleshentë që ishin duke vijuar studimet në këtë qendër shkollimi.

Shkaktari i zjarrit nuk dihet ende, por zyrtarët kanë thënë që flakët ishin përhapur për shkak të materialit që përdoret në kulmet e ndërtesës. “Studentët kanë humbur jetën për shkak të zjarrit dhe kërcimit jashtë prej ndërtesës”, ka thënë për AFP një zyrtar vendor. Të gjitha viktimat ishin nën moshën 20 vjeç dhe ata u bllokuan brenda meqë zjarri kishte dalë afër shkallëve brenda ndërtesës, ka raportuar Reuters. Ndërsa, 20 persona të tjerë kanë pësuar lëndime serioze dhe janë duke u trajtuar në një spital në Gujarat të Indisë.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi ka shprehur ngushëllime për të gjitha viktimat dhe u ka bërë thirrje autoriteteve vendore të ofrojnë ndihmën e tyre për këtë rast. Zyrtarët qeveritarë kanë deklaruar se hetimet për këtë ngjarja kanë filluar dhe brenda pak ditësh pritet të zbardhen detajet e këtij rasti, raporton BBC.