Trajneri i Çekisë i sigurt: S’do të humbasim kundër Kosovës

Trajneri i Republikës Çeke, Jaroslav Silhavy, ka insistuar se skuadra e tij nuk do të pësojë humbje nesër kundër Kosovës, për të cilët tha se kanë skuadër shumë të mirë. Ai beson se skuadra e tij s’do t’i përsërisë gabimet e bëra në Prishtinë.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, transmeton Gazeta Express.

Gjendja e skuadrës: Lojtarët janë të gjithë 100 për qind në formë. Ata e dinë që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, ata nuk kanë nevojë t’i motivojmë ne për këtë ndeshje kaq të rëndësishme.

Gabimet nga disfata në Prishtinë – Ne e kishim filluar mirë ndeshjen në Prishtinë, por i bëmë disa gabime që na kushtuan. Tani nuk duam t’i bëjmë ato gabime për herë të dytë dhe shpresojmë të mos ndodhin sërish nesër.

Skuadra e Kosovës: Sigurisht që ne i respektojmë shumë lojtarët e Kosovës, e respektojmë shumë këtë ndeshje dhe Zeneli nuk luajti as në ndeshjen në Kosovë. Por, Kosova ka shumë lojtarë që janë të mirë, të shpejtë, për shembull Rashica është një lojtar i shkëlqyeshëm. Ju keni shumë vetëbesim në lojën e lojtarëve tuaj. Por, synimi është që të enjten të fitojmë.

Atmosfera në skuadër: Kam një ndjenjë pozitive sa i përket lojës së nesërme. Ne kemi arritur të fitojmë kundër Anglisë, kështu që nëse nesër nuk fitojmë, puna do të na shkonte kot. Ndeshja kundër Kosovës vlerësohet si ndeshja e vitit. Publiku do të na ndihmojë të fitojmë nesër.

I pyetur se a do të marrë përgjegjësi nëse Kombëtarja e tij s’arrin të kualifikohet në EURO 2020 shkaku i Kosovës që po luan në kualifikime për Evropian për herë të parë në histori, Silhavy insistoi se skuadra e tij s’do të humbasë.

“Ne sigurisht që nuk e pranojmë që nesër mund të humbasim”, përfundoi Silhavy.