Transportimi ilegal i emigrantëve, biznes fitimprurës

Transportimi ilegal i emigrantëve nga kufiri jugor i Maqedonisë së Veriut me Greqinë drejt atij verior me Serbinë është kthyer në biznes fitimprurës për shkelësit e ligjit, pasi çdonjëri prej tyre paguan nga 600 deri në 1000 euro.

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme flasin për një hov të kësaj veprimtarie ilegale gjatë këtij viti. Zëdhënësi i këtij dikasteri, Toni Angelovski, thotë se në gjashtë muajt e parë të 2019 autoritetet kanë penguar 33 transportime ilegal të emigrantëve, shifër e cila është 43.5 % më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe kanë penguar 492 tentativa për transportim ilegal, shifër e cila në vitin e kaluar ishte 306.


“Ne punojmë vazhdimisht në kufirin jugor, në bashkëpunim edhe me kolegët nga shtete të tjera, të cilat na ndihmojnë në ruajtjen e kufirit jugor. 01:52 Para disa muajsh kishim një situatë karakteristike kur zbuluam rreth 20 persona në mesin e të cilëve kishte edhe zyrtarë policorë, pra një grup kriminal më i organizuar, të cilët transportonin emigrant gjatë një periudhë me të gjatë nga kufiri jugor drejt atij verior”, deklaroi Toni Angelovski, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme i Maqedonisë së Veriut .

Shumica e automjeteve që transportojnë emigrantë, sipas informacioneve ditore të Ministrisë së Brendshme kanë rezultuar në pronësi të personave që banojnë në Shkup. I tillë ishte edhe rasti i kamionit të rrokullisur disa ditë më parë në autostradën Demir-Kapi Negotinë, i cili edhe pse vozitej nga një 24 vjeçar nga Velesi, ishte në pronësi të një personi nga Haraçina. Emigrantët që ndodheshin në këtë kamion thonë se e kanë të lehtë të bien në kontakt me transportuesit ilegal, pasi nëse ti nuk di si t’i gjesh, të gjejnë ata.

“Kur mbërrijmë në Greqi, në Selanik, ka shumë njerëz që duan të shkojnë në Serbi dhe përpiqemi të gjejmë ndokënd që të na transportojë në Serbi. Është e lehtë për t’i gjetur transportuesit. U lajmërohemi pasi bëhemi 40 deri 60 persona, ndërsa pagesën ua bëjmë pasi të arrijmë ne Serbi, 600 deri 1000 euro. Ne nuk e dimë se nga janë ata që na transportojnë e vetmja gjë që na intereson është që të kalojmë në Serbi”, u shpreh një emigrant nga Afganistani.

“Kemi ecur pothuajse 4 ditë, Pastaj transportuesi ynë erdhi të na marrë nga kufiri. Në kamion ishim rreth 38 persona. Brenda në kamion nuk kemi ujë, është shumë nxehtë, më vështirësi mbushemi me frymë. Pasi na pikasi policia ndodhin dhe aksidenti”, tha një tjetër emigrant nga Afganistani.

Vetëm pak ditë më vonë një tjetër kamion u ndalua nga policia austriake në Gjevgjeli në vendin e quajtur “Kazerma” . Kamioni në të cilin kishte 79 emigrantë ishte në pronësi të personit me iniciale I.S, 32 vjeçar nga Shkupi, por vozitej nga 25 vjeçari V.Q nga Bogdanci.

Pavarësisht lëndimeve të shumta, disa nga emigrantët të cilët ndodheshin në automjetet e aksidentuara, e që momentalisht janë në kampin për emigrant “Vinojug”, në Gjevgjeli, thonë se do të tentojnë edhe 100 herë të kalojnë në Serbi deri sa të mbërrijnë në ndonjë shtet Evropian, sepse duan të ndërtojnë një jetë normale. Ndërsa disa të tjera kanë kërkuar azil në Maqedoni. Në “Vinojug” ka gjithsej 61 emigrantë, prej të cilëve 23 janë minoren.