Trepça’89 mbetet në Superligë duke e mposhtur Vëllaznimin në barazh

(Nga TopSporti.com) – Skuadra mitrovicase, Trepça’89, ka arritur që në pjesë të dytë të këndellet dhe duke treguar cilësinë ka përmbysur epërsinë e pjesës së parë të Vëllaznimit, për të siguruar stinorin 2019/20 në Superligë.

Pjesa e parë përfundoi 2-1 në të mirë të Vëllaznimit, pasi që epërsinë e kishte marrë mitrovicasit, ndërsa në pjesë të dytë ’89-shi tregoi forcën për të shkuar drejt fitores për 4-2 përfundimtare.

Një gabim i Altik Muhaxhirit në portë, që në kërcënimin e parë të Trepçës’89 nga korneri, i mundësoi Richard Asares epërsinë 1-0 (14′) në të mirë të mitrovicasve.

Më pas Vëllaznimi u këndell fuqishëm, për të shënauar së pari me Tun Bardhokun, që qëlloi portën me volej pas kornerit të kuqezinjëve për 1-1 (26′).

E delirium në stadium solli pasimi i Labionot Jetullahut, që pas një depërtimi gjeti Almedin Muratin, e ky i fundit nga zona, s’gaboi duke çuar topin me të majtën, në portën e Arben Beqirit për 1-2 (42′).

Ekipi i drejtuar sot nga Veton Çitaku me të nisur pjesa e dytë nisi furishëm. Së pari Ylber Maloku tentoi nga gjuajta e lirë për mitrovicasit.

Dhe nuk vonoi shumë, ishte Arb Manaj që shënoi me kokë pas asistimit të Muharrem Jasharit për barazim 2-2 (54′) vetëm një minutë pasi që më parë Ardian Muja i ’89shit kishte goditur shtyllën e portës së Muhaxhirit, ky i fundit jo në formë sot.

Pasuan disa ndërrime nga trajnerët. Çitaku shtoi forcën me futjen e Orges Gavës në lojë (54′), ndërsa Blerim Mula i Vëllaznimit futi Lorik Rudin në vend të Lekë Vulës (57′).

E kur kuqezinjtë pësuan golin e dytë, humbën koncentrimin duke pësuar pastaj edhe një tjetër. Ka qenë Hasan Hyseni që shënoi për avantazhin e mitrovicasve 3-2 (65′), ndërsa 4 minuta para fundit të ndeshjes ka qenë Engjëll Hoti që i dha fund pikëpyetjes për Superligë 2019/20, duke shënuar për 4-2 (86′) pas asistimit të mesfushorit Ylber Maloku.

Fitorja mban Trepçën’89 edhe sezonin e radhës në Superligë, derisa Vëllaznimi do të mbetet edhe një stinor në Ligë të Parë.

Kah fundi i ndeshjes, gjakrat u nxenë në fushë dhe referi përjashtoi nga një futbollist të të dyja palëve, kështu që ekipet përfunduan ndeshjen me nga 10 lojtarë. Përndryshe, kjo është hera e tretë që Vëllaznimi dështon të inkuadrohet në Superligë, duke pësuar për tre herë në përballjet e barazhit nga ekipet e Superligës (Gjilani, Ferizaji dhe tash ’89shi).