Tri javë pas vërshimeve ende nuk dihet se sa do të zgjasë procesi i vlerësimit të dëmeve

Shumë komuna të Kosovës tri javë më parë u goditën nga vërshimet pas reshjeve të shiut dhe borës, ku si pasojë u shkaktuan shumë dëme në infrastrukturë rrugore, në kulturat bujqësore, banesa dhe shtëpi banimi.

Për shkak të vërshimeve disa familje janë detyruar të evakuohen, ku disa komuna kanë shpallur edhe gjendjen emergjente.

Edhe pse kanë kaluar tri javë, ende nuk ka filluar kompensimi i këtyre dëmeve.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duke shtuar se nuk dihet ende se sa mund të zgjas ky proces.

“Ende nuk është filluar të bëhet pagesa ndaj komunave. Qeveria e ka autorizuar Ministrinë e Pushtetit Lokal që të krijoj një grup ndërministror e cila merret me verifikimin e raportit të komunave për dëmet e shkaktuara nga reshjet e fundit, pastaj ata do të vazhdojnë me kontrollimin dhe verifikimin e dokumenteve. Nuk e dimë ende se sa mund të zgjas ky proces. Ne si komuna, kërkojmë që sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Ibrahimi.

Ai ka thënë se vlerat e dëmeve është milionëshe.

“Vlerat e dëmeve janë milionëshe. Pa u dorëzuar raportet në nivel qendror, pra pa u bë llogaritja e tyre ende nuk dihet, por dëmet janë milionëshe”, u shpreh ai.

Sipas Ibrahimit, tashmë janë ndarë institucionet se kush do t’i mbulojë shpenzimet të shkaktuara nga këto dëme.

“Janë ndarë se kush do t’i mbulojë shpenzimet për ekonomi familjare, për infrastrukturë dhe për bujqësi. Ky fondi prej 1 milionë eurove i ndarë nga Qeveria, do të hartohen kritere nga ky grupi ndërministror, ku ne si Asociacion i Komunave kemi kërkuar që familjet me asistencë sociale dhe më gjendje jo të mirë ekonomike të kenë një përparësi. Dëmet në bujqësi do të mbulohen nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me komunat, gjithashtu edhe në infrastrukturë rrugore dhe nëpër ura do të mbulohet nga Ministria e Infrastrukturës së bashku me komunat, mirëpo vet komunat e kanë mjaftë të varfër buxhetin”, tregon Ibrahimi.

Për kompensimin e këtyre dëmeve, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka njoftuar se, është ndarë Fondi Emergjent për rikuperimin e këtyre dëmeve.

“Kemi marr vendim që të ndahet Fondi për Vërshimet dhe jemi në pritje të komunave që të vijnë me kërkesat”, kishte thënë Hoti.

Në mesin e shumë komunave që janë prekur rëndë nga vërshimet është Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Gjakova, Kamenica dhe Vushtrria. /Telegrafi/