Trump: Hetimet për shkarkim janë një “grusht shteti”

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka deklaruar se hetimet për shkarkimin e tij janë “një grusht shteti dhe jo një shkarkim”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump nga llogaria e tij në Twiter ka bërë një deklaratë lidhur me hetimin e nisur ndaj tij pas pretendimeve se në bisedën telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky ka ushtruar presion ndaj këtij vendi që të hetojë kundërshtarin e tij nga radhët e Demokratëve, Joe Biden.

“Ndërkohë që mësoj gjithnjë e më shumë çdo ditë rreth kësaj çështjeje (hetimet për shkarkim) unë jam duke arritur në rezultatin se ajo që ata po bëjnë nuk është një shkarkim, por është një ‘grusht shteti’. Ky grusht synon të eliminojë fuqinë e popullit, lirinë e tij, të drejtat kushtetuese, fetare, ushtarake, muret në kufi dhe të drejtën e dhënë nga Zoti si qytetar i SHBA-ve”, ka shkruar Trump.

Hetimet për shkarkimin e Trumpit

Trump në bisedën telefonike me Zelenskyn pretendohet se ka kërkuar nga Ukraina të hapë një hetim ndaj djalit të ish-zëvendëspresidentit Joe Biden. Trump ka thënë se telefonata me Zelenskyn ka qenë plotësisht procedurale. “Nuk ka rëndësi se çfarë kam biseduar me Zelenskyn. Dikush duhet ta hetojë Biden-in”, është shprehur Trump.

Biseda e debatueshme telefonike e zhvilluar në korrik mes presidentit amerikan dhe atij ukrainas ka shkaktuar që Demokratët në Kongresin Amerikan të nisin hetime për shkarkimin e Trumpit.

Në mediat amerikane u tha se Trump i kishte vendosur liderit ukrainas si kusht hetimin e Biden-it dhe familjes së tij në mënyrë që SHBA të ndihmonte Ukrainën. Pas zbulimit të këtij pretendimi Demokratët reaguan duke nisur hetimet për shkarkimin e Trumpit i cili para bisedës telefonike në fjalë ka njoftuar pezullimin e ndihmave prej 400 milionë dollarë për Ukrainën.

Më pas Shtëpia e Bardhë publikoi transkriptin e bisedës telefonike duke thënë se nuk ka asnjë lidhje mes ndihmës dhe bisedës. /AA/