Trump i reagon ashpër kryetarit të Londrës – e quan budalla e dështak

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve fundit të kryetarit të Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, ndaj tij.

Disa ditë para vizitës së presidentit të SHBA-së në Londër, Khan në një koment tejet kritik e akuzues kishte krahasuar Trumpin me fashistët e shekullit të XX-të. Madje, kryebashkiaku i Londrës kishte kritikuar Qeverinë e Britanisë së Madhe që e ka ftuar presidentin Trump për vizitë shtetërore në Londër.

Megjithatë, nuk ka vonuar reagimi nga Trump ndaj këtyre deklarimeve të ashpra të kreut të kryeqytetit britanik. Trump e ka quajtur Khan “një dështak që nuk ka kurrfarë ndjenja”, raporton Reuters.

“Sadiq Khan, që sipas të gjitha llogarive, ka bërë një punë të tmerrshme si kryetar i Bashkisë së Londrës, është treguar si budalla “i keq” ndaj vizitës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që deri më tani është aleati më i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar”, ka reaguar Trump në profilin e tij në Twitter.

Ky reagim erdhi pak kohë para se Trump të arrinte të hënën në Londër, ku gjendet për një vizitë zyrtare tre-ditore në kryeqytetin britanik.