Trump preferon Boris Johnson për lider të Partisë Konservatore britanike

Në prag të vizitës së tij në Britaninë e Madhe, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk ka hezituar të tregojë preferencat e tij për liderin e ardhshëm të Partisë Konservatore britanike.

Trump ka deklaruar për mediat e huaja se Boris Johnson do të ishte zgjidhje “e shkëlqyeshme” për të udhëhequr konservatorët në Britani të Madhe. Madje, presidenti amerikan ka thënë se është duke e përcjell me vëmendje garën se kush do të bëhet lider i Partisë Konservatore.

“Mendoj se Boris do të bënte një shumë të mirë. Mendoj se ai do të ishte i shkëlqyeshëm. Ai gjithmonë më ka pëlqyer”, ka thënë hapur Trump, duke mos fshehur simpatinë ndaj Johnson, të cilin madje e ka quajtur një person të talentuar, raporton BBC.

Gara për liderin e Partisë Konservatore në Britani të Madhe është mjaft e rëndësishme marrë parasysh që lideri i ardhshëm i kësaj partie do të bëhet edhe kryeministër i Qeverisë së këtij vendi meqë kryeministrja aktuale, Theresa May ka paralajmëruar dorëheqjen nga ky post.