Trump reagon, kërkon apelimin e vendimit të gjykatësit për murin kufitar me Meksikën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar fuqishëm ndaj vendimit të gjykatësit federal në SHBA për bllokimin e fondeve lidhur me ndërtimin e murit kufitar ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës.

Përmes reagimit në Twitter, ai e ka quajtur gjykatësin si të afërt me paraardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, ish-presidentin Barack Obama.

Ndërkaq, ai ka paralajmëruar se do ta apelojnë këtë vendim.

“Një aktivist tjetër i Obamas i emëruar gjykatës sapo ka marrë një vendim kundër nesh për një pjesë të murit në pjesën jugore që është në ndërtim e sipër. Ky vendim është kundër sigurisë së kufirit dhe është në favor të krimit, trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore. Ne kërkojmë apelimin e këtij vendimi sa më shpejt!”, ka shkruar Trump.