U mbajt seanca e radhës së Kuvendit të Prizrenit

Të enjtën, është mbajtur seanca e radhës së Kuvendit të Prizrenit, në të cilen ka patur polemika e debata, si dhe janë miratuar shumica e pikave të rendit të ditës. Seanca e radhës së Kuvendit të Prizrenit, sërish ka nisur me polemika e debate herë herë boshe, në pikën e cila më së shumti merr kohë në këto seanca, atë të pyetjeve dhe përgjigjeve të kuvendarëve.  Shefi i GK të PDK-së, Simir Krasniqi dhe ai i AAK-së, Ilir Baldedaj, parashtruan pyetje për udhëheqësit e drejtorisë së Urbanizmit respektivisht atë të Inspektoratëve, rreth çështjes së lejeve të ndërtimit, numrin e objekteve të rrënuara gjatë vitit të kaluar. Lidhur me këto pyetje të parashtruara, u përgjigjen pjesërisht drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj dhe ai i Inspektoratëve, Islam Thaçi, të cilët thanë se përgjigjet e plota do t’ua japin me shkrim. Pyetje të shumta kishte në adresë të drejtorit të Shëndetësisë, Visar Shehu, rreth dy konkurseve për punësim në kujdesin parësor shëndetësor. Biles, akuza , për proces të parregulltë pati edhe nga anëtarë të Kuvendit nga radhët e partisë e cila udhëheq me Prizren. Mirëpo, drejtori Shehu, tha se procesi ka qenë transparent, dhe nuk  kemi gisht fare në vlerësimin dhe pranimin e kandidatëve, të cilët janë pranuar nga komisioni përkatës. Kurse, rreth kësaj pike , është treguar e ashpër ndaj ekzekutivit për neglizhencë të përgjigjeve me shkrim ndaj pyetjeve të kuvendarëve,  anëtarja e LVV-së,  Dafina Alishani. Kuvendi ndërkohë miratoi edhe propozim-vendimin për themelimin e Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit, propozim-vendimin për caktimin e destinimit të tokës ndërtimore sipas Planit Zhvillimor Komunal të Komunës së Prizrenit, si dhe propozim-vendimin për rregullimin e kompensimit me marrëveshje të tokës ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe pronarëve të tokave.Në pikën 9. të rendit të ditës, me propozim të Drejtorisë së Administratës u miratua edhe propozim-vendimi për plotësim-ndryshimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit nr. 001/011-149282 të datës 28 shtator 2018, në mënyrë që në projektin për ndërtimit e bustit të Skënderbeut, në vend të bustit të ndërtohet shtatorja e Skënderbeut. Gjithashtu në këtë pikë Kuvendi propozoi që lokacioni i ndërtimit të shtatores së Skënderbeut të vendoset me pëlqim paraprak nga ana e Kuvendit.Krejt në fund, u miratua edhe propozim-vendimi për dhënien e titullit “Nderi i Qytetit” për dr. Halil Berisha, i cili u mbyt duke u helmuar më 3 qershor 1989 nga okupatori serb, si dhe dekorata “Remzi Ademaj” për 13 dëshmorët nga Prizreni që kanë kontribuar në luftën e UÇK-së për liri, emrat e të cilëve janë propozuar në koordinim me shoqatat e dalura nga lufta. Titulli “Nderi i Qytetit” dhe dekoratat “Remzi Ademaj” do të ndahen me rastin e festave të qershorit.