U shkarkua nga drejtori në Komunën e Deçanit, vjen reagimi i Nesim Haradinajt

Komuna e Deçanit pritet ta shkarkojë Nasim Haradinajn nga pozita e drejtorit për Bujqësi.

E ky i fundit në një prononcim për EkonomiaOnline këtë vendim po e konsideron politik dhe si “hakmarrje” pasi që në zgjedhjet e 6 tetorit përkrahu haptazi Partinë Demokratike të Kosovës.

“Po thjeshtë është një vendim politik që më kanë thënë se mund të merret, por që ende nuk është marrë. Por kemi pasur një mbledhje të drejtorëve, ku kryetari më ka thënë se i duhet dhe është i nxitur që ta bëjë shkarkimin tim. Për mua është krejt normale në kuptimin e kësaj çështje, por ajo që s’është normale pse mendimi ndryshe politik fillon të dënohet sikur në vitin 1981. Unë jam anëtar i AAK-së, nuk jam zyrtarisht i PDK-së dhe kam dashur t’i ndihmojë sepse kam parë që është duke u bërë një luftë kundër krahut të luftës”, tha ai

Ai ka treguar edhe me emër se nga kush është kërkuar shkarkimi i tij.

“Po po është kërkuar nga udhëheqësit politik, normal nga qendra. Nga krerët e AAK-së më kanë treguar se i duhet patjetër me bë (shkarkimin tim), ende nuk e ka bërë dhe nuk dua ta komentojë më sepse ende nuk e kam marrë vendimin me shkrim dhe atëherë do ta analizojë dhe do ta jap komentin tim”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk e mendon kalimin në PDK dhe se shprehet se këtë gjë nuk mund t’ia ndalojë askush.

Edhe zëdhënësja e Komunës së Deçanit Yllarta Thaqi ka thënë për EkonomiaOnline  se është diskutuar shkarimi i Haradinajt, por nuk është marrë ende vendimi.

“Është diskutuar por nuk është marrë ende vendimi, se kur do të merret ky vendim do ta bëjmë publike si institucion komunal. Si bord i drejtorëve së bashku me kryetarin e kanë diskutuar dje, aty ka qenë edhe Nasim Haradinaj po nuk është marrë asnjë vendim”, ka thënë ajo.

Nasim Haradinaj, gjatë fushatës zgjedhore deklaroi haptas se “do t’ia bëj një argat Kadrisë” , me arsyetimin se të gjithë po duan rrëzimin e tij.