Universiteti i Prizrenit e quan të papranueshëm vendimin për mosakreditim të saj

Rektorati i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakdreditim të këtij universiteti sikurse atij të Mitrovicës e Pejës.

Si i papranueshëm është cilësuar vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë nga ana e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Ky është reagimi i plotë i Rektoratit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren:

Reagim rreth procesit të akreditimit institucional të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren po i përcjell me shqetësim lajmet që po qarkullojnë në media për mos akreditimin institucional për një vit. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për përmbajtjen e vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Pas marrjes së njoftimit zyrtar do të dalim me një qëndrim përkitazi me situatën e krijuar.

Studentët e tanishëm të UPZ-së nuk duhet të shqetësohen.

Një vendim i tillë është i papranueshëm. Universiteti do të veprojë në përputhje me dispozitat e akteve ligjore dhe nënligjore. Do të kërkojmë që të rishqyrtohet vendimi i Këshilli Shtetëror të Cilësisë sa i përket Universitetit “Ukshin Hoti” pasi që konsiderojmë se i plotësojmë kushtet për akreditimi institucional, duke marr për bazë edhe rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar.

Rektorati
Prizren, 15.07.2019