UNMIK kishte marrë vendim shmangien e lëvizjeve në veri të martën, zyrtari rus nuk e respektoi këtë masë

Gjatë ditës kur zhvillohej aksioni i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, javën e kaluar, personeli i UNMIK-ut ishte udhëzuar nga eprorët e tyre që të mos largoheshin nga zyrat dhe vendbanimet e tyre gjatë zhvillimit të aksionit policor.

Personeli i UNMIK-ut ishte “këshilluar të shmangnin lëvizjet” në veri, ka raportuar RTV Dukagjini.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk ishte respektuar nga shtetasi rus, Mikhail Krasnoshchenkov që punon në misionin UNMIK. Ai jo që nuk kishte qëndruar në zyre ose në vendbanimin e tij, por duke shfrytëzuar veturën zyrtarë të UNMIK-ut kishte bërë përpjekje të pengonte aksionin e policisë në Zubin Potok.

Në të vërtetë, Policia e Kosovës, gjatë javës së kaluar, ka njoftuar se zyrtari rus i UNMIK-ut kishte ndihmuar protestuesit serb në Zubin Potok në vendosjen e barrikadave. Madje, në veturën zyrtare të Krasnoshchenkov, njësitë policore kishin gjetur një motosharrë që ishte përdorur për prerjen e druve dhe vendosjen e tyre në barrikadë.

Megjithatë, policia kishte arrestuar shtetasin rus për ta liruar më pas, ndërsa ishte dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Mitrovicës në veri. Prej aty, ai kishte udhëtuar në Beograd duke kërkuar mjekim në njërin prej spitaleve atje ku edhe gjendet aktualisht.

Ndërsa, në javën që shkoi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka shpallur “persona non grata” këtë zyrtar të UNMIK-ut. Ndaj këtij vendimi kishte reaguar UNMIK-u duke thënë se personeli i këtij misioni nuk mund të shpallen “persona non grata” meqë OKB-ja nuk është shtet dhe një masë e tillë vlen vetëm në raportet ndërshtetërore – shtet me shtet.

Krahas shpalljes person i padëshirueshëm në Kosovë, kryeministri Haradinaj kishte deklaruar se ky shtetas rus është spiun i kamufluar si punonjës i OKB-së.