UP-ja organizon pritje për 6 mijë studentët e rinj

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2019/20, UP-ja ka organizuar “Ditën e orientimit të studentëve të rinj”, aktivitet që synon mikpritjen dhe orientimin e kandidateve të pranuar për vijim të studimeve në UP, raporton EkonomiaOnline.

Në këtë ditë orientuese morën pjesë fakultetet dhe të gjitha zyrat që kanë kontakt me studentët, në mënyrë që studentët e rinj të informohen nga afër lidhur me studimet në Universitetin e Prishtinës.

Rektori Marjan Demaj, tha se në këtë vit janë pranuar rreth 6 mijë studentë të rinj, duke shtuar se UP-ja është një vend për eksplorim dhe transformim.

“Për ne sot është dita më e rëndësishme e vitit si rektor i juaji vesha bluzën më të bukur timen që mban në pah krenarinë. Sot kemi pranua 6 mijë studentë të rinj. 1 tetori është i veçantë par shkak të peshës historike që kjo ditë peshon. Sot janë po ato 22 vite që nga dita që studentëve përkrahur nga të gjithë profesorët morën përsipër historinë e ndryshimit në Kosovë. Sot shënohet 22 vjetori i protestave masive të Up-së. Ishin studentët e këtij universiteti që 22 vite më parë ishin në kërkim të demokracisë”, tha ai.

Ndërsa aktori i njohur Fatmir Spahiu, i cili studimet e tij i ka kryer në UP në degën e aktrimit, tha se universiteti na mëson masën dhe na jep informacionin e nevojshëm që nesër të bëhemi shtyllë për Kosovën.

“Sot kur jam 37 vjeçar aktor dhe producent i njohur i kujtoj me kujtime të veçanta ditët e para të studimit pra në vitin 2000. Ditën e parë të studimeve gjëja e parë që më ka shkuar më mendje ka qenë se kur do bëhet e premte që të shkoj te familja ime, në vitin 2000 unë kam ardhur me ëndrra të mëdha nga qyteti i Gjilanit dhe kam pas fat që të pranohem në këtë universitet nga profesori Faruk Begolli, gjatë këtij rrugëtimi do të shihni shumë padrejtësi dhe politikë por kjo nuk do të ju thyej asnjëherë. Universiteti na mëson masën dhe na jep informacionin e nevojshëm që nesër të bëhemi shtyllë për Kosovën”, tha ai. /EO/