Uran Ismaili jep dorëheqja nga posti i Deputetit

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Arsyeja e dorëheqjes është për arsye se ai ka vendosur ti përkushtohet garës për kryetar të Prishtinës.

”Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë Prishtinës dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim.”, ka shkruar Ismaili në Facebook, përcjell Lajme365.

Postimi i plotë:

Sot dhashë dorëheqje nga mandati i deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që më votuan dhe më dhanë nderin e privilegjin për t’i përfaqësuar në Kuvend!
Ky funksion, megjithatë, besoj se është i papajtueshëm me qëllimin tim për t’u bërë Kryetari i ardhshëm i Prishtinës. Si Kryetar i Prishtinës, detyra ime do të jetë t’u shërbej të gjithë qytetarëve.
Të bashkoj të gjithë qytetarët në rregullimin e problemeve të jetës sonë të përditshme. Të punojmë në mënyrë që ta bëjmë Prishtinën një vend më të mirë për të gjithë.
Dhe kur them për të gjithë, e kam fjalën për të gjithë.
Kuvendi për nga natyra e tij është konfrontues dhe ngjyrat e partive politike dinë të jenë përçarëse. Kjo nuk është e dobishme për qytetin tonë dhe për komunitetin tonë.
Një kryetar i mirë nuk qeverisë në bazë të ngjyrave partiake. Dhe unë e kam ndërmend të jem një kryetar i mirë.
Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë Prishtinës dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim.
Edhe kjo që po e bëj sot është se unë po tërhiqem një hap prapa nga politika e përditshme sepse kam besim se me mbështetjen e bashkëqytetarëve të mi të Prishtinës, më 17 tetor, ne do të nisim shndërrimin e Prishtinës në një qytet të pastër, të gjelbër e të sigurt.
Në një qytet digjital modern.
Në një qytet miqësor për qytetarët e tij, si dhe në një destinacion atraktiv për vizitorët e tij. E, në këtë qëllim, Prishtina na bashkon të gjithëve.
Faleminderit!.lajme365.com