Vakumi institucional do të lërë pasoja

Rinumërimi i votave po zvarrit tej mase certifikimin e rezultateve e si pasojë Kosova ndodhet në vakum institucional. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët mendojnë se formimi i Qeverisë do të zgjasë, pasi LVV-ja e LDK-ja po presin certifikimin që t’i shtrojnë në tavolinë çështjet e mëdha, të cilat do të çonin në marrëveshje përfundimtare, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ndonëse është bërë më shumë se një muaj qëkur kanë përfunduar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që u mbajtën më 6 tetor, KQZ-ja edhe për së paku dy javë do të jetë e angazhuar në rinumërim të vendvotimeve. Njohësit e çështjeve politike një gjë të tillë po e shohin si zvarritje të tepruar.

Ata thonë se oreksi i subjekteve politike për të marrë qoftë edhe një votë më shumë po e dëmton një proces, i cili u duk që nisi e përfundoi mbarë. Vakumi institucional, siç kanë thënë ata, do të lërë pasoja të pariparueshme, pasi Kosova ka një sërë çështjesh që kanë mbetur peng nga Qeveria në largim, shkruan tutje “Zëri”.

Ata nuk përjashtojnë mundësinë që rinumërimi të zgjasë më shumë se dy javë dhe që formimi i Qeverisë të mos ndodhë deri në vitin e ardhshëm. Në anën tjetër fajësojnë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) e Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), të cilat sipas tyre po e zvarrisin arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.