Vdekja e Sarës 3-vjeçare në Klinikën e Pediatrisë, Inspektorati nis hetimet pas rrëfimit të nënës

Gjatë ditës së djeshme Gazeta Express e ka publikuar rrëfimin e nënës kosovare Lumturie Saraqit, e cila në muajin shtator e kishte humbur vajzën e saj Sarën 3 vjeçe e gjysmë. Nëna e Sarës, ka rrëfyer për gazetën përjetimet e saja si dhe neglizhencën që thotë se e ka përjetuar nga mjekët kosovarë respektivisht ata të QKUK’së. Për këtë punë hetime ndaj mjekëve tashmë paralajmëron se do të nisë Inspektorati Shëndetësor i Kosovës. Ndërkohë  nga QKUK të martën kanë dhënë versionin e tyre për gjithë rastin.

Inspektorati Shëndetësor i Kosovës paralajmëron hetime ndaj rastit të vdekjes së vogëlushes Sara Saraqi e cila në shtatorin e këtij viti ndërroi jetë në Klinikën e Pediatrisë së QKUK’së. Nëna e Sarës në një rrëfim dhënë për Gazetën Express, ka treguar për përjetimet e saja me mjekët e QKUK’së por edhe të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare këtu në Prishtinë.

Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar, Nora Krasniqi, ushtruese e detyrës së kryeinspektorit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Pas disa raportimeve që janë bërë në media rreth këtij rasti, ne si Inspektoriat do të nisim hetime për të parë nëse ka pasur ndonjë neglizhencë nga ana e mjekëve”, i tha Expressit, Krasniqi.

E gazeta për disa ditë me radhë ka kërkuar përgjigje nga ana e Klinikës së Pediatrisë së QKUK’së para se të publikohej teksti rreth këtij rasti.

Ka kërkuar përgjigje rreth ankesave të nënës që e kishte humbur vajzën si dhe për trajtimin e plotësohen nga ana e mjekëve të kësaj klinike që i ishte bërë Sarës. Mirëpo, marrja e këtyre të dhënave ka qenë e pamundur.

Por pas publikimit të rrëfimit të Lumuturie Saraqit, e cila është nëna e Sarës së ndjerë, i cili u publikua dje në Express, nga QKUK, respektivisht Klinika e Pediatrisë, kanë dhënë deklaratën e tyre.

“Kolegjiumi i Klinikës së Pediatrisë shpjegon se ajo është pranuar me datën 22.09.2019 në  Klinikën e Pediatrisë në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Menjëherë pas pranimit, ajo është dërguar për trajtim në Kujdesin Intensiv të Klinikës, ku fëmija është trajtuar në mënyrë adekuate duke filluar nga aspekti laboratorik për të diagnostikuar sëmundjen dhe menjëherë pas kësaj është filluar me terapi iniciale për shkak të dyshimit në Sepsë”, thuhet në reagim.

Nga Pediatria e QKUK’së, shpjegojnë se edhe përkundër të gjitha masave të marra nga ana e stafit mjekësor, fatkeqësisht gjendja e fëmijës është përkeqësuar në vazhdimësi dhe ka ardhur deri te më e keqja, vdekja e fëmijës.

“Pas kësaj Kolegjiumi profesional i klinikës, në bazë të ecurisë klinike është e mendimit se te fëmija është zhvilluar Sepsë Meningokoksike, sëmundje kjo e cila në bazë të literaturës shkencore dhe përvojave klinike në të gjithë botën në mbi 70% të rasteve përfundon me vdekje”, thuhet tutje në sqarim.

Nga Klinika thonë se mjekët  e klinikës  kanë qenë të hapur dhe shumë bashkëpunues edhe me familjarët e fëmijës dhe gjithçka ka shkuar në pajtim me procedurat e parapara dhe vullnetin e prindërve të fëmijës.

Por, rrëfim tjetër nga ky i mjekëve kanë dhënë familjarët e Sarës tashmë të ndjerë. Nëna e saj, ka sqaruar se mjekët deri në ditën kritike asnjëherë nuk e kishin prekur me dorë vajzën e saj.

Lumturia ka treguar për përvojën e saj treditore në spitalet kosovare dhe trajtimin që vajza e saj tashmë e ndjerë e ka marrë në QKUK e në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, sipas rrëfimit të Lumturisë  vajza e saj e  ndjerë nuk e mori trajtimin e duhur mjekësor. Pas kësaj, ajo e kishte marrë vajzën dhe e kishte dërguar pa udhëzim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, fillimisht në Klinikën e Pediatrisë.

“Me taksi e kam marrë vajzën e kam çu në Pediatri në QKUK. Kur shkova më thanë jo nuk mundemi me ju pranu se nuk keni udhëzim. Iu tregova që unë e pata në Pediatri, por që  solla këtu për ma mirë. Hymë brenda i thash po vjellë, më tha është virus, spitali është plotë fëmijë. M’i shkruajti disa terapi, ia dhashë në mbrëmje vajzës. Ka ora 21:0 në mbrëmje filluan vajzës me iu shfaqë disa shenja”, vazhdon tregimin e saj Lumturia.

Ajo më pas ka rrëfyer se vajzën nuk ia ndalën në spital. Trajtimin me terapitë e përshkruara këtë radhë nga mjekët e Pediatrisë së QKUK’së, ajo po ia vazhdonte në shtëpi. Por, në mbrëmje në trupin e vajzës së saj filluan që të shfaqen disa shenja.

Gati në mesnatë, ajo sërish e kishte marrë rrugën për në QKUK.

“Ka qenë ora 22:00 kur e kam çu sërish vajzën në pediatri. Më thanë nuk ka mundësi me iu shfaqë këto shenja sepse kjo është me terapi. Në dy rastet, edhe te qafa edhe në pediatri vajzën nuk e kanë prekur mjekët, te pediatria në mbrëmje veç ia ka shpluar cikës maicën pak edhe ka thanë ky rast nuk është për ne”.

E spital pas spitali, klinikë pas klinike, mjek pas mjeku, Lumturia po endej me vajzën, gjendja shëndetësore e së cilës çdo minutë e më shumë po rëndohej.

Më 22 shtator, mjekët e Pediatrisë nuk ia kishin pranuar vajzën për trajtim. Për shkak të shenjave në lëkurë atë prap e kishin referuar për në Dermatologji- tek mjeku i lëkurës.

Edhe aty i ishte përsëritur historia e njëjtë. Mjeku që ka qenë në ndërrim, sipas nënës nuk ia kishte prekur vajzën.

“Atje kur e çova nuk e  preku me dorë, veç i tha burrit çoja maicën, tha asgjë nuk ka vajza. Ajo më tha po ia shkruaj këto ilaçe ‘ndesh jepja e ndesh mos ia jep vajzës’. E mora  çikën në shpi të dielën, e pash që ishte keq, të dielën gjithë ditën. Në mbrëmje prapë e kemi çu. Njëherë më thanë jo është grip, kur e kanë këqyr në Pediatri, çika veç 47 për qind e ka pas frymëmarrjen. E kanë marrë cikën pastaj e kanë shti në intensivë. E kanë mbajtë aty githë natën. Ia kanë ba EO’n, analiza, nuk i kemi ditë asnjë rezultat të analizave. Unë i pysja se cka ka cika, të shohim në mëngjes më thonin”, rrëfen ajo.

Por, pas asaj nate vajza e saj kishte vdekur. Me lot në sy, Lumturia ka thënë se as sot nuk e di arsyen e vdekjes së vajzës së saj.