Arkitektja dhe urbanistja Hysnije Hisari, lindur në Prizren (1946), dha një kontribut të shquar në praktikën profesionale e sidomos në formësimin e arkitekturës moderne, duke qenë njëherit edhe një ndër arkitektet gra më të shquara të kohës.
Studimet për Arkitekturë, drejtimi Urbanizëm i përfundoi në vitin 1971 në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanizmit në Univesitetin e Sarajevës. Konsiderohet urbanistja e parë në qytetin e Prizrenit.
Nga viti 1972-77 veproi si urbaniste kryesore në Drejtorinë për Urbanizëm pranë Komunës së Prizrenit dhe gjithashtu si mësimdhënëse në shkollën e mesme teknike të qytetit (1972-73).
Në vitin 1972 ishte anëtare e grupit punues për hartimin e Programit për Planin Hapësinor të Kosovës në ish-Jugosllavi.
Më vonë punoi si drejtoreshë e Drejtoratit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (1977-79) si dhe urbaniste-planere pranë BVI për Banim dhe Planifikim Hapësinor (1980-90).
Prej projekteve veçohen: Programi dhe Zgjidhja Urbanistike për kompleksin banesor Kullat – lagjja Bazhdarhane (1971), Programi dhe Projekti Urbanistik-Qendra Sportive Sezair Surroi (1975), Plani Detal Urbanistik i ndërtesave të banimit individual – lagjja Bazhdarhane (1975), Plani Detal Urbanistik për lagjen Ortakoll (1981-82).
Foto: Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës
Informatat: Gjinolli, L., & Kabashi, L. (2015). Modernizmi Kosovar: një abetare e arkitekturës. Prishtinë, Kosovë: Galeria Kombëtare e Kosovës./Media Ndërtimi.