Politikani veteran grek, Karolos Papulias, president në kulmin e krizës ekonomike 2008-09, vdiq sot në moshën 92-vjeçare, njoftoi presidenca greke.

“Me trishtim i dërgojmë përshëndetjet tona të fundit Karolos Papuliasit”, tha presidentja greke Katerina Sakellaropoulou në një deklaratë.

“Ai e nderoi institucionin më të lartë shtetëror me etikën dhe sjelljen e tij duke mbrojtur me forcë kohezionin social dhe unitetin kombëtar”, shtoi ajo.

I ardhur nga radhët e partisë socialiste PASOK, Karolos Papulias u zgjodh për herë të parë president në 2005 përpara se të zgjidhej për një mandat të dytë pesëvjeçar në 2010, në fillim të krizës greke, e cila e zhyti vendin në trazira politike dhe në krizën më të rëndë ekonomike në dekada.

Më pas ai u përball me zemërimin e grekëve dhe popullariteti i tij pësoi një goditje fatale për mbështetjen e tij për masat shtrënguese, të diktuara nga BE dhe FMN.

Në tetor 2012, Greqia ishte në grahmat e një krize borxhi spirale dhe shkurtimeve jopopullore të pagave.

“Ne luftuam për Greqinë. Unë isha një luftëtar i rezistencës në moshën 15-vjeçare, duke luftuar kundër nazizmit dhe gjermanëve”, tha kreu i shtetit, babai i të cilit ishte një oficer i lartë i ushtrisë, i cili gjithashtu kishte luftuar për Greqinë.

Karolos Papulias ishte një nga politikanët e parë që hoqi dorë nga paga e tij në shenjë solidariteti “për sakrificat e popullit”.

I lindur në Janinë, më 4 qershor 1929, ai ishte aktiv në rezistencën antinaziste nga viti 1942 deri në vitin 1944, kur ishte vetëm një adoleshent.

Pas studimeve për drejtësi në Athinë, Milano (Itali) dhe Këln (Gjermani), ai u bë avokat në vitin 1963, profesion të cilin e mbajti deri në vitin 1981, kur u emërua Sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme nga Andreas Papandreu.

Gjatë diktaturës së kolonelëve (1967-1974), ai shkoi në mërgim në Gjermani dhe u bë një nga bashkëthemeluesit e Lëvizjes Socialiste Panhelene (Pasok) të udhëhequr nga Andreas Papandreu.

Deputet nga viti 1977 deri në vitin 2000, ka qenë dy herë ministër i Jashtëm në qeveritë socialiste (1985-1989 dhe 1993-1996). /kp/Telegrafi/