Vdes një foshnje në Spitalin e Gjilanit, familjarët akuzojnë stafin mjekësor për mos trajtim

Vdes një foshnje në Spitalin e Gjilanit, familjarët akuzojnë stafin mjekësor për mos trajtim

Gjilan, 24 shtator- Në Spitalin Regjional të Gjilanit dyshohet për vdekjen e një foshnje. Drejtuesit e Spitalit Regjional nuk kanë dhënë informata për këtë rast gjersa as policia nuk e ka konfirmuar rastin ngase sipas tyre duhet të mblidhen informata të plota dhe më pas të ofrohen sqarimet e nevojshme.

Rasti dyshohet se ka ndodhur sot ndërkaq familjarët e foshnjës e cila dyshohet se ka vdekur akuzojnë stafin mjekësor se me neglizhencën e tyre në punë dhe mos trajtimin e nënës së fëmijës ka rezultuar me vdekjen e foshnjës. Familjari i foshnjës së vdekur, Bujar Fera deklaron se nëna e foshnjës e cila ka vdekur është sjell në Spitalin Regjional të Gjilanit për trajtim ngase ishte në prag të lindjes mirëpo sipas tij stafi mjekësor në vazhdimësi kishte neglizhuar detyrat e tyre përkundër që pacientja në vazhdimësi ishte ankuar për dhimbje. Deklaron se krejt çfarë kanë bërë stafi mjekësor gjatë tri ditëve të trajtimit është një kontroll me ultrazë ku edhe është konstatuar se foshnja është e vdekur, raporton Koha Ditore.

“Tash tre ditë është pranuar në Spital dhe nuk e kanë trajtuar në momentin e fundit. Nga mëngjesi jemi duke i lutur që ejani dhe kryeni më shpejtë operacionin që të shpëtojë gruaja dhe fëmija. Ka pasur dhimbje të mëdha dhe na thonin se nëse është për lindje atëherë lind dhe nëse nuk është për lindje atëherë e operojmë. Mirëpo këta vetëm i shtyjnë rastet dhe nuk e kanë future në operacion. Kur e futën në kontroll përmes ultrazërit thanë na vjen keq mirëpo fëmija nuk është i gjallë. Dhe këtë e ka konfirmuar njëri prej mjekëve” ka thënë ai.

Thotë se për këtë janë njoftuar edhe prokuroria por edhe policia dhe për këtë rast po i njofton mediat me qëllim që të njoftohen për atë çfarë po ndodh në këtë spital. “Mandej tash po thonë që beba është gjallë. E dhanë këtë lajm me qëllim me zbut gjërat mirëpo I kam njoftuar edhe mediat edhe policinë e cila ka ardh me kohë dhe prokuroria ka dërguar personin juridik që merret me këtë punë. Në Spitalin e Gjilanit ku është Gjinekologjia gjithçka shkon me intervenca dhe e morën në qaf popullin dhe kemi raste kur vdesin gratë në lindje e fëmijët. Mirëpo ky nuk është rasti i parë që po ndodh. Por si familje do të shkojmë deri në fund. Vdekja ka ndodhur si pasojë e moskujdesit” është shprehur ai.

Ndërkaq në Spitalin e Gjilanit nuk kanë dhënë informata për këtë rast. Drejtori i Spitalit në Gjilan, Nisret Hajrullahu ka deklaruar se ata munden të ofrojnë informacione për këtë rast ditëve në vijim. “Jam në Prishtinë dhe nuk kam informata se çfarë ka ndodhur. Do të kemi një mbledhje me mjekët e repartit dhe mandej do të dalim me informacion” ka thënë ai.

Vdekjen e foshnjës nuk e ka konfirmuar as Policia Regjionale në Gjilan. Zëdhënësi i Policisë, Ismet Hashani ka deklaruar se ata do të ofrojnë sqarime për këtë rast pasi të mblidhen informacionet e nevojshme. “Nuk kemi informata për këtë. Sigurisht që pasi të mblidhen informata atëherë do të dalim me sqarimet se çfarë ka ndodhur sepse policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe mbasi të kemi raportin atëherë edhe do të ofrojmë sqarimet” ka thënë ai.