Veliu: Qasja tendencioze nga ana e Vetëvendosjes për të mos lejuar raportimin

Nënkryetari i LDK’së dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka folur edhe një herë për mbledhjen e sotme të Komisionit për Siguri ku ishte ftuar për të raportuar.

Veliu thotë se qysh para dy ditëve kishte vënë në dijeni kryetaren e Komisionit se për shkak të mbledhjes së Qeverisë do të ketë vetëm 45 minuta në dispozicion për të raportuar.

Derisa shton se anëtarët e VV’së që janë pjesë të këtij Komisioni në mënyrë të qëllimshme filluan me qasje tendencioze për të penguar raportimin.

“Me kërkesë të Kryetarës dhe anëtarëve jam ftuar që sot të raportoj para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Qasja tendencioze nga ana e Vetëvendosjes për të mos lejuar raportimin në komision ishte e qartë që nga fillimi ku ata filluan të diskutonin çështje jo të rëndësishme.

Unë me kohë e kam informuar komisionin se koha ime është e limituar për shkak të mbledhjes së Qeverisë, dhe ata e kanë pasur mundësinë që të vendosin para dy ditëve se a do të mbahet kjo mbledhje apo të caktojmë një datë tjetër. Nuk më kanë informuar asgjë dhe sot unë kam ardh i gatshëm që të raportojë.

I falënderoj deputetët tjerë të grupeve parlamentare për korrektësinë dhe gatishmërinë e treguar”, ka shkruar Veliu./Express/

Tags: , ,