Vendi në amulli, ka dy zgjidhje përpara

Dorëheqja e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, e ka komplikuar situatën politike në Kosovë, që edhe ashtu kohëve të fundit po përcillej me turbulenca. Derisa vendi ka mbetur pa të parin e shtetit, hiç më mirë s’i ka punët as Qeveria. Ekzekutivi në krye me Avdullah Hotin nuk i ka 61 votat që i duhen për të kaluar ligje. Derisa apetitet për pozitën e presidentit po shtohen, aktualisht në vend po diskutohen dy opsione, zgjedhjet e reja apo zgjerimi i koalicionit, shkruan Gazeta Express.

Pak muaj pas prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Qeverisë së drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë dalë probleme me partnerët e koalicionit dhe mungesë numrash në Kuvend.

E gjithë situata u komplikua kur Specialja bëri publike propozim-aktakuzën për tash ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe ish-kreun e PDK-së, Kadri Veselin.

Derisa propozim aktakuza e shkaktoi një situatë të re politike në vend, në AAK nuk vonuan për të propozuar një person që sipas tyre është i denjë dhe do të duhej të ulej në karrigen e të parit të shtetit, kurdo që ajo të lirohej nga Thaçi. Haradinaj dëshiron të ulet në karrigen e të parit të shtetit, derisa nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka sinjale se do t’i japë përkrahje.

Kreu i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa e shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti u siguruan që në të gjitha deklarimet publike, kur u pyetën për këtë temë, të thonë se Kosova ka një president e se këto tema duhet të diskutohen veç në rast se ka konfirmim të aktakuzës apo veçse afrohet afati që presidenti të përfundojë mandatin.

Pasi që partnerët në Qeveri nuk ia hapën rrugën për t’u siguruar se do të bëhet president, kreu i AAK-së, shkoi edhe më tutje duke thënë se do të dalë nga koalicioni.

Pikërisht prej këtyre deklarimeve kanë filluar lajmet se Qeveria mund të zgjerohet me bashkimin e PDK-së.

PDK-ja pozitë apo opozitë?

Partia që deri pak ditë më parë udhëhiqej nga Kadri Veseli e pranoi me sportivitet kalimin nga qeveria në partinë e tretë të dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Fillimisht në koalicionin LVV-LDK, e pastaj edhe në koalicionin aktual nuk qenë të paktë zërat se PDK-ja mund t’i bashkohet ekzekutivit.

Këto zëra u shtuan sidomos pas kërcënimit të Haradinajt se do të dalë nga koalicioni në rast se nuk bëhet president.

Megjithatë, në Partinë Demokratike të Kosovës i kanë mohuar në vazhdimësi zërat se mund të bëhen pjesë e Qeverisë.

Nuk është se nuk i josh pozita e Kryeministrit. Mbrëmë në DPT te Fidani, nënkryetari i PDK’së, Shaqir Totaj, ka thënë se e mendojnë pastaj pozicionin që po e mbajnë, pra qëndrimin n

Konfirmimi i aktakuzave nga Specialja

Pas intervistimit të qindra personave, Tribunali Special kaloi në nivel tjetër të punës, duke iu konfirmuar aktakuzat për krime të luftës katër prej personave kyç të UCK-së.

Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli e kreu i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi u arrestuan dhe u dërguan për në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës.

Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020.

Në pajtim me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment. Aktakuza e konfirmuar tashmë është bërë publike.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së

Kush do të jetë presidenti i ri?

Në ditën që Thaçi u nis drejt Hagës, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e mori detyrën e të parit të shtetit si ushtruese e detyrës në këtë pozitë.

Në rast se partitë politike nuk arrin që të bëjnë një marrëveshje për një emër që mund të kalojë me shumicë të votave në Kuvend të Kosovës, Osmani në këtë post qëndron gjashtë muaj.

Pas gjashtë muajve, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Partitë politike ende nuk kanë publikuar emrat e atyre që mund t’i propozojnë në këtë post, pos Haradinajt. Deri më tani, të paktën zyrtarisht nuk ka ndonjë pretendent të ri për pozitën më të rëndësishme të shtetit.

Nuk dihet se cili do të jetë skenari i ri në vend, një president me të cilin pajtohet shumica, apo zgjedhjet e reja që i bie të mbahen në kohën kur në vend ka shifra rekorde në baza ditore të të prekurve me COVID 19 dhe atyre që kanë ndërruar jetë.

Qeveria s’i ka votat

Qeveria aktuale nuk i ka 61 vota që i duhen për të kaluar projektligje në Kuvend të Kosovës. Rrjedhimisht, ekzekutivi nuk ka arritur ende që të kalojë në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Situata do të vazhdojë të qëndrojë e njëjtë derisa të bëhen gjashtë muaj prej kur deputeti Etem Arifi të jetë në burg e rrjedhimisht të mungojë në seanca të Kuvendit.

Deri atëherë pasi që Arifi vetë nuk e ka ofruar dorëheqjen, nuk mund të zëvendësohet nga një deputet tjetër./GazetaExpress/

Tags: