Vendimi i BQK-së për tarifat e sigurimit cilësohet joligjor

Përveç pezullimit të vendimit me të cilin Banka Qendrore e Kosovës (BQK) rriti tarifat e sigurimit të automjeteve për 26 për qind, të hënën është kërkuar që vendimi i ri për këto tarifa të merret pas një konsultimi të gjerë me akterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe konsumatorët.

Ndërkohë, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e ka cilësuar vendimin të jetë joligjor, pasi që është marrë në kohën kur Kuvendi i Kosovës, i cili është organ përgjegjës për mbikëqyrje të BQK-së është jashtë funksionit, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe GLPS, por edhe qytetarët protestues të mbledhur rreth grupit virtual “Maraklit’kerreve” kanë kërkuar që vendim i ri për tarifa të merret pas një konsultimi të gjerë, ndër të cilët do të konsultoheshin edhe konsumatorët. Ata kanë kërkuar që marrja e vendimit të ri të jetë transparent, pasi kanë vlerësuar se kjo ka munguar në procesin e kaluar.

Në një komunikatë për medie të GLPS-së, në të cilën BQK-së i është kërkuar revokimi i vendimit, thuhet se ai është i paligjshëm, është marrë në mungesë transparence dhe se me të është shkelur e drejta e konsumatorit.

“GLPS vlerëson që vendimi i BQK-së përbën një ndërmarrje të nxituar, të pabazuar në konsultim të gjerë, përfshirë edhe komunitetin e konsumatorëve, dhe në kohë të një transicioni institucional, në të cilin BQK-ja mbetet e pakontrolluar nga Kuvendi sipas përcaktimit të normës kushtetuese“, thuhet në këtë komunikatë.