(Vendimi i plotë) Masat e reja për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në Kosovë

Në një konferencën për media Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sonte ka bërë publike vendimet e që ka marrë kjo ministri në koordinim edhe me minsitritë e tjera, e që kanë të bëjnë me masat që do të ndërmerren me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë COVID-19 .

Më poshtë po e publikojmë të plotë adresimin e ministrit Vitia para mediave dhe vendimet e marra që kufizojnë edhe më shumë lëvizjen e qytetarëve.

Adresimi i ministrit Arben Vitia:

Mbrëmë u konfirmuan edhe 79 raste të reja me COVID 19 në Republikën e Kosovës. Këto ditë të vështira, përkundër se një pjesë e mirë e rekomandimeve janë respektuar nga shumica e qytetarëve, për shkaqe të ndryshme duke përfshirë edhe motin e mirë këto ditë, kemi parë se jo sa duhet janë respektuar këto masa dhe rekomandime.

Pas kësaj situate, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK-së), për shkak të situatës së krijuar tashmë në vend dhe pas shfaqjes së rasteve të fundit me sëmundjen Covid-19, Ministria e Shëndetësisë sot pas diskutimeve të gjata me ministrat e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) znj. Rozeta Hajdari, Ministrin e Punëve të Brendshme (MPB)-së, Xhelal Sveçla dhe Ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilia Rexhepi dhe grupet teknike nga këto Ministri, në bashkëpunim edhe me kryetarët e komunave përmes Asociacionit të Komunave, mori vendim që përfshin masa të reja për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes ngjitëse Covid 19 për ta mbrojtur shëndetin publik.

Qytetarë të nderuar,

Fillimisht ju falënderoj për bashkëpunimin dhe kujdesin e treguar deri më tani. Mirëpo, ky kujdes tash e tutje duhet të jetë shumë më i shtuar për ta mbajtur të sheshtë lakoren e infektimeve. Nuk mundemi më të tolerojmë gabime dhe lëshime në këtë situatë ku në lojë është shëndeti i qytetarëve tanë dhe jetët tona.

Sot është jetike që këto masa të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme, ne ora 17.00, të zbatohen me përpikëri nga të gjithë ne. Organet përkatëse do të kujdesen që këto masa të zbatohen deri në përpikëri. Mund të duken rigoroze, por përvoja nga shtetet tjera na ka mësuar se nëse tash nuk veprojmë, mund të bëhet vonë dhe pas një kohe përsëri do të detyrohemi t’i marrim këto masa por me kosto shumë më të madhe edhe për jetët e qytetarëve tanë por edhe për shëndetin e ekonomisë.

Megjithatë, nëse të gjithë bashkëpunojmë me njeri-tjetrin, institucionet me qytetaret, mund te sigurojmë qe këto masa te mbeten ne fuqi për një periudhe sa me te shkurtër qe te jete e mundur. Kjo varet jo vetëm prej nesh ne Qeveri, por edhe prej te gjithë jush si qytetare. Është natyra e virusit te cilën po përballemi, qe edhe një mase shumë e vogël e mosbindjes nga ana e disa qytetareve, mund të rrezikoje të gjithë ne të tjerët. Sa me shume qe t’i respektojmë këto masa, aq me shpejt do ta mposhtim virusin dhe t’i kthehemi jetës normale.

Sidomos këto dy javët e para do te jene kritike. Këto javët e para do te na testojnë durimin jashtë mase. Presim qe numri i rasteve do te rritet dukshëm gjate këtyre dy javëve, përpara se te filloje te bjere ne mënyre graduale por te vazhdueshme. Por edhe një herë, gjithçka varet nga bashkëpunimi, disiplina jonë, si dhe nga besimi ynë që me një periudhe te shkurtër te kufizimeve rigoroze, do te arrijmë një kthim sa me shpejt ne normalitet.

Më lejoni të lexoj vendimin ku përfshihen këto masa:

V E N D I M

I. Prej datës 15 prill 2020, në orën 17:00, ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komuna, përveç rasteve në vijim:

(a)    Për personat fizikë mbi moshën 16 vjeçare lejohet qarkullimi për furnizim me mallra të domosdoshme (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë dhe produkte higjienike) dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare (pagesat, punët bankare), për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar ditor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Për shtetasit e huaj që nuk posedojnë numrin personal të Republikës së Kosovës, orari i lejuar i daljes përcaktohet bazuar në shifrën e parafundit të numrit të pasaportës.

(b)   Gjatë qarkullimit të personave fizikë për furnizim me mallra të domosdoshme, nuk lejohet shoqërim nga asnjë person tjetër, përveç në dy raste:

(1)   personat me aftësi të kufizuara, të cilët mund të shoqërohen vetëm nga një anëtar tjetër i së njëjtës bashkësi familjare, apo nga një asistent i posaçëm mjekësor dhe

(2)   personat nën moshën 16 vjeçare, me kusht që të jenë të shoqëruar nga një anëtar i së njëjtës bashkësisë familjare me të njëjtin shtëpive/banesave.

(c)    Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të COVID-19 ndaj personave në moshë rekomandohen personat mbi moshën 65 vjeçare që të mos dalin nga shtëpia/banesa përveç në raste urgjente dhe të domosdoshme.

Duhet theksuar se shumica e qytetarëve do të kenë vetëm këtë mundësi të dalin nga shtëpia, një herë në ditë, për 1 orë e gjysmë, për të kryer furnizimin me mallra te domosdoshme, si dhe detyrat dhe nevojat financiare.

Megjithatë, për te ruajtur funksionimin e administratës shtetërore dhe veprimtari esenciale të ekonomisë, jemi pajtuar të bëjmë disa përjashtime. 

(d)   Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e operatorëve ekonomikë, mundësohet:

(1)  qarkullimi i lirë për operatorët ekonomikë dhe institucionet të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I i këtij vendim. Kjo do të bëhet publike dhe do të njoftohen të gjithë ata operatorë ekonomik që ju lejohet një gjë e tillë.

(2)  transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në pro­dhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpër­ndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim.

(e)    Me leje të veçantë të qarkullimit dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve, lejohet qarkullimi i lirë për “stafin esencial” të institucioneve shtetërore.

(f)     Vetëm për të kryer detyrat zyrtare, lejohet qarkullimi i lirë i institucioneve në listën e bashkëngjitur si Aneksi II i këtij vendimi.

(g)   Në raste urgjente të shëndetësisë, lejohet dalja nga shtëpia/banesa për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor.

(h)   Lejohet qarkullimi për personat fizikë në raste ku është rreptësishtë i domosdoshëm për t’u kujdesur për një ose më shumë të sëmurë, ose për një ose më shumë persona me aftësi të kufizuara.

(i)     Ndalimi i qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre nuk zbatohet në raste të viktimave të dhunës familjare. Viktimave të dhunës familjare u lejohet të dalin nga shtëpive/banesave të tyre për të kërkuar strehim në një lokacion alternativ.

(j)     Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpitë/banesat për çfarëdo arsye tjetër përveç për arsyet e lartcekura, duke përfshirë takime shoqërore, vizita familjare, etj.

II. Për Komunat që janë në karantinë apo që do të vendosen në të ardhmen bazuar në rekomandimet e IKSHP-së, do të ndalohet hyrje-dalja nga Komunat përveç në këto raste:

(a)    Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer transportin e mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në pro­dhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpër­ndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim. Përveç për kryerjen e transportit të mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit, hyrje-dalja nga Komuna e nuk u lejohet operatorëve ekonomikë, as punëtorëve të tyre.

(b)   Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve shtetërore, për “stafin esencial” të këtyre institucioneve.

III. Gjatë qarkullimit të lejueshëm sipas përjashtimeve të parashikuara me pikat I dhe II më lart, personat fizikë obligohen:

(a)     të mbajnë të mbuluara gojën dhe hundën, përmes maskës, shallit, apo ndonjë mbulese tjetër;

(b)    në çdo kohë, të ruajnë distancë prej dy metrash nga persona të tjerë.

1.Prej datës 14 prill, ndalohet qarkullimi i automjeteve në Komuna përveçse ne disa raste te rralla:

(d)   Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e operatorëve ekonomik, mundësohet:

(1)  qarkullimi i automjeteve për operatorët ekonomik dhe institucionet të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I i këtij vendim.

(2)  transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në pro­dhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpër­ndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim.

(a)   Me leje të veçantë të qarkullimit dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve shtetërore, lejohet qarkullimi i lirë i automjeteve për stafin esencial.

(b)   Lejohet qarkullimi i automjeteve vetëm për të kryer nevojat e institucioneve, të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneks këtij vendimi.

(c)   Lejohet qarkullimi i automjeteve për personat me aftësi të kufizuara.

(d)   Në raste urgjente të shëndetësisë, lejohet lëvizja me automjet për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor.

(e)   Përveç në raste emergjente dhe për personat me aftësi të kufizuara nuk lejohet më shumë se një (1) pasagjer në automjet.

(f)    Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpia/banesa për çfarëdo arsyeje tjetër përveç për arsyet e lartcekura.

Mosrespektimi i masave të përcaktuara në këtë vendim konsiderohet, sipas ligjit, si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1,000 Euro deri në 2.000 Euro gjobë për personat fizikë dhe prej 3,000 Euro deri në 8.000 Euro për personat juridikë, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet prej 500 Euro gjobë deri me 1,500 Euro.

Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe i njëjti vlen deri më 4 maj 2020. Me hyrjen në fuqi të këtij Vendimi, shfuqizohet çdo dispozitë e mëparshme që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij Vendimi.

Ky vendim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë do të rishqyrtohet në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertët dhe ministritë e tjera të linjës, për të vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe për të vendosur për vazhdimin ose jo të masave përkatëse.

 Ne do të ri-analizojë situatën epidemiologjike çdo ditë dhe në lidhje me secilën pikë dhe, pas konsultave paraprake, mund të ndryshojë, plotësojë apo shfuqizojë masat e përcaktuara.

Të dashur qytetarë,

Apeloj tek të gjithë ju që të tregohemi bashkëpunues dhe vigjilent në zbatimin e këtyre masave ngaqë çdo pakujdesi, sado e vogël, ka çmim të lartë në humbjen e jetëve.

Vetëm nga zbatimi i këtyre masave varet kohëzgjatja e tyre. Sa më bashkëpunues e të bashkuar jemi në këtë situatë, aq më shpejt do të fillojmë edhe me heqjen graduale të këtyre masave. Prandaj ju lutem që të keni kujdes për shëndetin tuaj, ju lutem që te keni kujdes për shëndetin e familjarëve tuaj dhe shëndetin publik të qytetarëve.

Bashkë do t’ia dalim

Ministrja Rozata Hajdari kërkoi mirëkuptim nga qytetarët dhe subjektet biznesore për këto vendime, sikurse edheMinistrja Emilia Rexhepi e cila tha se këto vendime kanë për qëllim të mbrojnë shëndetin e të gjithëve!

Ministri Xhelal Sfeçla tha se do të bashkëpunohet me të gjitha inspektoratet për zbatimin e vendimeve që këto ditë të vështira të kalohen sa më lehtë nga të gjithë.

Profesori Naser Ramadani tha se këto vendime do të ndikojnë dukshëm dhe do të kenë impakt të drejtpërdrejt në ruajtjen e shëndetit të popullatës së Kosovës. /Telegrafi/