Vendosën rimorkio pa leje, për të ndalur Covid-19: Policia urdhëron heqjen e barrikadës në Suharekë

Policia e Kosovës është deklaruar rreth vendosjes së rimorkios nga banorët e fshatit Semetisht të Suharekës, të cilët së bashku me inspektorët e komunës kanë marrë një masë të tillë parandalimi për përhapjen e sëmundjes Covid-19, shkruan Gazeta Metro.


Për veprimin e bërë vullnetarisht nga banorët e këtij fshati, i cili u quajt veprim anarkist në publik, zyrtarët për informim nga Policia e Kosovës kanë thënë se me të pranuar këtë informacion, është kërkuar që kjo rimorkio e vendosur të tërhiqet menjëherë.

Zëdhënësi policor nga Drejtoria Rajonale e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, në një përgjigje për Gazetën Metro, ka shtuar se janë njoftuar edhe nga Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, se kjo masë e vendosur është tërhequr dhe nuk paraqet asnjë pengesë në këtë fshat.

” Në lidhje me rimorkion ajo ka qëndruar e vendosur nga banoret dhe inspektoret e komunës ne Suhareke dhe sapo policia ka pranuar këtë informacion ka kërkuar qe ajo menjëherë te tërhiqet  për çka edhe jemi informuar nga Kryetari i komunës se ajo është tërhequr dhe nuk paraqet asnjë pengese ne këtë fshat”, thuhet në përgjigjen e Osmanollajt.

Ai tutje ka thënë se Policia në Suharekë është në komunikim të vazhdueshëm me kuvendin komunal, duke shtuar se nuk do të lejohet asnjë pengesë përveç veprimeve të parapara me ligj dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK’së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Kujtojmë se pavarësisht kësaj mase të ndërmarrë paraprakisht, gjatë mbrëmjes së djeshme është raportuar për rastin e parë pozitiv me Covid-19 në këtë fshat të Suharekës, duke çuar në 5 numrin e përgjithshëm të të prekurve në Suharekë.