Veprimi heroik dhe i guximshëm i policit në Suharekë shpëton jetën e një qytetari

Një polic i ka shpëtuar jetën një punëtori të një kompanie në Suharekë, i cili derisa po bënte instalimin dhe shtrirjen e kabllos së internetit ishte goditur nga rryma elektrike.

“Me datën 9 shtator 2019 rreth orës 14:00, në rrugën “Xhavit Sylaj” në Suharekë, punëtori i një kompanie derisa po bënte instalimin dhe shtrirjen e kabllos së internetit, ishte duke punuar në një shtyllë ku kishte edhe rrjet elektrik. I njëjti ishte i lidhur me rripin e sigurisë, por për një moment dyshohet se është goditur nga rryma eklektrike ku është varur pa ndjenja në rripin e sigurisë. Dy punëtorët tjerë ndihmës kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku patrulla policore që ishte në afërsi ka vepruar menjëherë dhe njëri nga zyrtarët është ngjitur lart në shtyllë duke e tërhequr poshtë punëtorin i cili ishte pa ndjenja.

Me këtë rast është njoftuar emergjenca e cila ka arritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe i është ofruar ndihma e parë, për t’u trajtuar më pas në spitalin rajonal në Prizren.

Veprimet heroike dhe të menjëhershme të policit në Suharekë kanë bërë që punëtori të shpëtojë nga më e keqja apo nga vdekja dhe viktima pas tretmanit mjekësor në spitalin rajonal është liruar në shtëpi”, njofton Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren.