Veseli: BE-ja po qëndron indiferente ndaj Serbisë e cila mohon masakrën e Reçakut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka kujtuar sot një nga masakrat më të rënda të shtetit serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë – masakrën e Reçakut.

Lideri i PDK-së ka thënë se në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut e shumë masakrave tjera anekënd Kosovës, qytetarët e Kosovës përjetojnë edhe një lëndim që vjen si pasojë e tolerancës së Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për përgjegjësinë historike që ka për krimet makabre.

“BE, jo vetëm që ka qëndruar duarkryq ndaj refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të ndëshkuar kriminelët e luftës, por sot po tregohet indiferente edhe ndaj përpjekjeve serbe për ta rishkruar historinë, për të mohuar përgjegjësinë mbi krimet e kryera ndaj qytetarëve tanë. Ka zyrtarë evropianë që mendojnë se Kosova duhet të pranojë në heshtje pandëshkueshmërinë dhe mosvënien e drejtësisë për autorët e masakrave të kryera ndaj shqiptarëve në vitet 1998-1999, si çmim për lirinë. Por, janë duke gabuar rëndë, sepse krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen dhe paqja nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë”, ka shkriar Veseli në faqen e tij në Facebook.