Veseli bisedon me lideret Shqipëtar të Rajonit

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë ditës ka zhvilluar biseda telefonike me  liderë Shqiptarë  që janë bartës institucionesh në Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.

Veseli ka bërë të ditur se ka biseduar me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, zv.Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, me nënkryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegun, me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafën si dhe me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin.

Përmes një statusi në Facebook, Veseli ka njoftuar se bisedat kishin të bëjnë me informimin dhe interesimin e për kushtet dhe masat që kanë ndërmarrë në lidhje me pandemin e COVID-19., trasmeton Lajme365.

Postimi i Plotë:

Sot zhvillova disa biseda telefonike me kolegë liderë shqiptarë që janë bartës institucionesh në Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, për t’u interesuar lidhur me gjendjen e bashkëkombasve tanë në kushtet e pandemisë së koronavirusit. Bisedova me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën i cili më tregoi për masat e rrepta që janë marrë dhe efektin e tyre.

Në bisedën që bëra me zv.Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, u njoftova edhe për gjendjen e shqiptarëve atje dhe pakon gjithpërfshirëse ekonomike që ata kanë miratuar për të shpëtuar ekonominë nga pasojat e kësaj situate emergjente. Bisedova edhe me Genci Nimanbegun që është nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi prej të cilit mësova se gjendja në këtë shtet është duke u menaxhuar relativisht mirë dhe se shqetësimi kryesor i shqiptarëve të atjeshëm është rrezikimi i sezonit të ardhshëm turistik prej pandemisë.

Së fundmi fola edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafën si dhe me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin. Gjendja në Luginën e Preshevës është veçanërisht e rëndë dhe bashkombasit tanë atje janë të lënë tërësisht anash prej autoriteteve qendrore të Beogradit. Ajo që e bën akoma më dramatike gjendjen e tyre është fakti që dhjetëra mijëra shqiptarë atje, shërbimet shëndetësore mund t’i marrin vetëm nga një spital, ai i Vranjës, i cili është tashmë i tejngarkuar. Lugina e Preshevës ka nevojë sot, më shumë se kurrë për solidaritetin tonë dhe për ndihmën e shteti të Kosovës./lajme365.com