Veseli: Dorëheqja e Ramush Haradinajt ishte personale dhe se për të nuk ishim njoftuar më herët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se vendimi për dorëheqje i kryeministrit Ramush Haradinaj ishte personal dhe se për të nuk ishin njoftuar më herët.

Ankesa e Veselit se Haradinaj nuk e konsultoi për dorëheqje vjen pasi kreu i Kuvendit i tha kryeministrit se po flet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si me Serbinë.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Dorëheqja e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga posti i Kryeministrit të Kosovës, ka zënë në befasi pjesën më të madhe të spektrit politik në vend.

Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit, pas thirrjes që i është bërë atij për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.

“Përgjegjësia tani kalon te Presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve”, tha Haradinaj, në deklaratën e tij të dorëheqjes.

Por Kushtetuta e Kosovës i ofron mundësinë Kuvendit të Kosovës që të tentojë të arrijë të sigurojë numrin e nevojshëm prej 61 votash (nga gjithsej 120 deputetë) me qëllim të zgjedhjes së Kryeministrit të ri dhe themelimit të Qeverisë së re për pjesën e mbetur të mandatit të Kuvendit të Kosovës, pa pasur nevojë që të shkohet në zgjedhje të reja.

Megjithatë, nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria, sipas Nenit 82, pika 1, alineja 1 të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës shpërndahet.

Krahas kësaj, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin 82, pika 1, alineja 2 të Kushtetutës së Kosovës.

Në rastet e shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet e reja mbahen jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, në përputhje me Nenin 66, pika 2 e Kushtetutës së Kosovës.