Veseli: Kurti ka marrëveshje me Borrell – Serbia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në veri

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se Qeveria Kurti në 50 ditët e saj ka bërë gabimet më të rënda.

“Kjo Qeveri ka shkuar më tej në një pozicion prej ku ishim ne, me spekulime për marrëveshje sekrete – formulim tragjik për raportet tona me SHBA”.

“Kishim informacione se kishte marrëveshje të Kurtit përkrah injorimit të SHBA-së me një zyrë që ishte zyra e Josep Borellit për tejkalimin e situatës së taksës”, ka thënë Veseli, njofton Klan Kosova.

Në Rubikon Veseli ka thënë se Albin Kurti javë më parë ka kundërshtuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë pas paraqitjes së virusit Korona, ndërsa sipas tij, ai ka lejuar që Serbia të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në veri të vendit.

“Papërgjegjësia e kësaj Qeverie është duke e krijuar Vuçiqin një hero duke thënë se ‘bukën po ua japim shqiptarëve’. Me jetë nuk do të lejoja Qeverinë e Serbisë që të imponojnë vendime të shtetit serb në Kosovë”.

“Ai po e pranon gjendjen emergjente të Aleksandër Vuçiq dhe e pengoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend. Ai thoshte “Nuk po e shpallim gjendjen e jashtëzakonshme” por po e lejon një shtetet tjetër të futet në territor të Kosovës dhe të shpallë gjendje të jashtëzakonshme”.